​Takimi i liderëve të ish-opozitës në Ambasadën Amerikane, a ka shtytje për arritjen e një koalicioni qeverisës?

​Takimi i liderëve të ish-opozitës në Ambasadën Amerikane, a ka shtytje për arritjen e një koalicioni qeverisës?

Tri partitë ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK shfaqen të rezervuara për të komentuar përmbajtjen e takimit të përbashkët të Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, pas vendimit të SHBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën. Zyrtarë të këtyre partive thonë se janë në kontakt të rregullt me amerikanët dhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Annu Prattipati.

Sipas tyre, amerikanët dëshirojnë një partner tjetër strategjik në Kosovë, mirëpo kur pyeten nëse ka pasur ndonjë kërkesë apo shtytje që këto parti të bashkërendohen për formimin e një koalicioni të ardhshëm qeverisës nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të krijojë një shumicë të re parlamentare, thonë se ende nuk ka arritur një momentum i tillë.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 shtator kanë marrë vendim për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, siç është thënë pas ngritjes së shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

Të njëjtën ditë, diplomatja amerikane në Kosovë, Prattipati priti në takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, përkundër vendimit për pezullim të dialogut strategjik, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në një përgjigje për KosovaPress të hënën ka theksuar se do të vazhdojnë të jenë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress se janë në kontakt dhe bashkëbisedim të vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së, por edhe me përfaqësues të lartë të SHBA-së në Uashington.

Ajo akuzon Kurtin për prishje të raporteve me SHBA-në, derisa thekson se i njëjti nuk i ka numrat për të formuar qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kosova tash e tetë muaj nuk ka institucione të reja, derisa Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Deputetëve iu ndalohet çfarëdo vendimi për Kuvendin si dhe pezullohen afatet në lidhje me formimin e qeverisë së re pas ankesës së Listës Serbe, ku është mbyllur seanca konstituive e legjislaturës së nëntë pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Çitaku thotë për KosovaPress se është ende herët për diskutimet nëse partitë e ish-opozitës mund të formojnë qeverinë në rast që LVV-ja nuk arrin ta bëjë një gjë të tillë, mirëpo shton për nevojën që ish-opozita të bashkohet dhe unifikohet për ta larguar Kosovën, siç deklaron, nga pellgu ku e ka fundosur Kurti.

“Unë mund t’ju konfirmoj vetëm që Partia Demokratike e Kosovës është në kontakte dhe në bashkëbisedim të vazhdueshëm me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, por edhe me përfaqësues të tjerë të lartë të SHBA-së në Uashington…12:38 Nuk jemi ende në një momentum të tillë. Ne kemi ditur që nga dita e parë që zoti Kurti nuk e ka shumicën parlamentare, për atë ne kemi insistuar qysh më 10 shkurt që ish-opozita të bashkohet dhe të unifikohet. Kjo jo një unifikim inatëçor, por thjesht për ta larguar Kosovën nga pellgu, në të cilin po e fundos zoti Kurti”, thekson ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, thotë për KosovaPress se takimet me zyrtarë amerikanë janë të rregullta për ta, derisa thekson se SHBA-ja po dëshiron një partner tjetër strategjik në Kosovë.

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i dëmton relacionet dhe aleancën me SHBA-në.

“Është shqetësuese kur shohim deklaratat edhe të Ambasadës Amerikane në lidhje me qeverinë aktuale, pra dëshirojnë një partner tjetër strategjik e realisht për interesa të vendit tonë. Kjo është shqetësuese për ne si LDK dhe për popullin e Kosovës. Unë kujtoj që do duhej të jenë shumë të kujdesshëm, pikërisht zoti Kurti dhe Qeveria, në relacion me partnerin tonë strategjik sepse këto relacione janë ruajtur dhe këto relacione kanë sjellë edhe frytet që ne sot i gëzojmë…03:25 Këto takime janë të rregullta për LDK-në, pra ne mbajmë takime të rregullta me Ambasadën Amerikane dhe me Departamentin Amerikan. Normalisht që po të kishte relacione të mira sot zoti Kurti, do të kishim pasur edhe një trysni të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndoshta edhe të shteteve evropiane, në drejtim të konstituimit të Kuvendit”, potencon ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit, mirëpo deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, thotë se janë të gatshëm për bashkëqeverisje me PDK-në dhe LDK-në pa asnjë lloj kushtëzimi, vetëm, siç thekson, ta largojnë nga pushteti Albin Kurtin.

Ai thotë se aleatët veçanërisht ShBA-ja si dhe vendet e BE-së po dëshirojnë të dëgjojnë partitë ish opozitare për të marrë mendime nëse janë në të njëjtën linjë me Kurtin.

“Aleatët tanë, vendet e Bashkimit Evropian, në këtë rast edhe Amerika dëshirojnë t’i dëgjojnë edhe partitë opozitare, të marrin mendime nëse janë në të njëjtën linjë me këtë që e bën zoti Kurti…. (Haradinaj) Do të ofronte mundësinë për një bashkëqeverisje ndërmjet partive ish-opozitare vetëm që ky njeri (Albin Kurti), anti-Kosovë dhe anti-amerikan, të largohet nga udhëheqja. Aleanca është e gatshme për një bashkëqeverisje vetëm e vetëm që zoti Kurti mos të jetë”, thekson Brahimaj.

Reagimi i SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën erdhi në kohën kur Kurti ka adresuar një varg kritikash ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe qeveria në detyrë ka mbyllur disa struktura paralele serbe në Kosovë, për çka të shtunën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar i heshtur prej të premtes së javës së kaluar kur është marrë vendimi i SHBA-së, mirëpo, zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, ka thënë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon, derisa ka theksuar se të gjitha veprimet e qeverisë në detyrë janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik.