Takim gjeneralësh, Jashari pret Shefin e Mbrojtjes së Turqisë – diskutojnë për zgjerimin e bashkëpunimit

news image

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e uroi homologun turk për emërimin në këtë pozitë të lartë ushtarake dhe u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë.

Sipas njoftimit zyrtar, dy gjeneralët diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

“Gjithashtu, Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneralin Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë forcës sonë në ngritjen e kapaciteteve profesionale”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, Gjenerali Bayraktaroğlu rikonfirmoi përkushtimin e Turqisë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lart përparimin e ushtrisë së Kosovës.

“Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Të dy palët u pajtuan për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/