Xhafer Tahiri, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, ka shpalosur pikat më kryesore të planprogramit të tij për drejtimin e qytetit ku garon.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ai ka thënë se do të ndajë të holla për t’i ndihmuar çiftet e reja në blerje të banesave.
“Me një ekip të jashtëzakonshëm, ku i kemi 13 gra në listë, jemi partia që kemi më së shumti gra në listën tonë. Fillimisht kemi marrë të dhënat se çfarë është gjendja në qytetin e Vushtrrisë edhe në aspektin e demografisë. Kemi vërejtur se një prej problemeve më të mëdha të çifteve të reja është blerja e një banese”.
“Është një nga sfidat themelore për çdo çift, andaj kemi vendosur që t’i përkrahim me nga 7 mijë euro këto çifte. Sipas kalkulimeve tona, çdo vit do të përkrahim 100 familje të reja në Vushtrri për të blerë banesën ku ato duan. Komuna do ta subvencionojë normën e interesit në kredi me 7 mijë euro. Brenda vitit, kjo na kushton 700 mijë euro; për katër vite kjo na kushton 2.8 milionë euro. Kryetarit të Vushtrrisë i duhet të ndihmojë 400 familje të reja dhe jo ta dërgojë atë shumë në beton, në një shesh të papërfunduar. Pra, është çështje e prioriteteve”, u shpreh Tahiri.
Tahiri theksoi se do të ndihmojnë edhe gratë që janë të papuna dhe pa kualifikim në Vushtrri me nga 300 euro që të kryejnë trajnime që do të ndihmojnë në punësimin e tyre.
“Kemi marrë edhe informatën se në Vushtrri janë 9 mijë e 583 gra që janë të afta për tregun e punës, ku 90 për qind e tyre janë të papuna, dhe mbi të gjitha nuk kanë asnjë kualifikim”.
“Komuna nuk e ka asnjë projekt se si t’i ndihmojë këto gra, andaj jemi betuar që çdo vit t’i ndajmë nga 500 mijë euro për këto gra, ku secilës do t’ia ndajmë nga 300 euro për gjashtë muaj me radhë që të trajnohen dhe të kenë shpresë për të gjetur vendin e punës”, deklaroi Tahiri. /Klankosova.tv
The post Tahiri: Do t’i përkrah çiftet e reja dhe gratë e papuna në Vushtrri (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.