E mërkurë, 23 Prill, 2025
spot_img
HomeSportSynimi im është të rritem dhe të luajë në top-ligat e Europës...

Synimi im është të rritem dhe të luajë në top-ligat e Europës – Indeksonline.net

Ermir Rashica është një prej lojtarëve më të mirë që ka dalë nga futbolli kosovar dhe është zhvilluar në Superioren e Shqipërisë.

Gjatë afatit kalimtar dimëror të këtij viti, Rashica u largua nga Skëndërbeu dhe firmosi me ekipin nga Ukraina, Metalist 1925, me një shifër rekord deri në 500 mijë euro.

Rashica gjatë një interviste për Indeksonline.net, foli rreth transferimit të tij në ekipin ukrainas, kushtet që ka futbolli atje, ëndrra për të luajtur me Shqipërinë A, e deri te interesimi “mjegull” i FFK-së për të.

Te Metalist, Rashicën e priten shumë mirë – madje ai thotë se ritmi dhe konkurrenca e madhe e bën më ndryshe futbollin ukrainas me atë shqiptar.

“Klubi më ka pritur shumë mirë. Që nga dita e parë kam ndier mbështetje nga të gjithë – stafi, bashkëlojtarët dhe ambienti në përgjithësi. Sa i përket kushteve, ato janë në një nivel shumë të mirë profesional. Natyrisht, ritmi dhe niveli i konkurrencës në Ukrainë është më i lartë krahasuar me Ligën e Shqipërisë, por kjo më motivon edhe më shumë për t’u përmirësuar çdo ditë”, u shpreh fillimisht Rashica

21-vjeçari kishte shumë oferta në tavolinë, falë paraqitjeve fantastike me ekipin shqiptar në Superiore.

“Kalimi im te Metalist u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes menaxherit tim dhe klubit. Kishim disa opsione në tavolinë nga disa kampionate evropiane, por projekti dhe vizioni i Metalist më bindi. Ishte zgjedhja më e mirë për fazën ku ndodhem në karrierë”, vazhdoi tutje lojtari nga Mitrovica

Rashica është pjesë e gurpmoshave U21 te Shqipëria. Madje në 10 paraqitje ai ka shënuar dy gola. Ëndrra e tij është përfaqësimi i Kombëtares A, dhe deri tani ka marrë mesazhe të mira dhe pozitive.

“Sigurisht që çdo lojtar ka ëndërr të përfaqësojë kombëtaren A. Jam pjesë e U21 dhe kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Kam mesazhe te mira nga kombtarja, por vazhdoj të punoj fort për ta merituar atë moment”, tha Rashica për Indeksonline

Rashica në kampionatin shqiptar luajti më shumë se dy sezone. Ai zhvilloi 62 ndeshje më Skënderbeun në të gjitha garat, shënoi 17 gola dhe bëri shtatë asiste.

“Vitet në Shqipëri kanë qenë shumë të rëndësishme për zhvillimin tim si futbollist. Kam përjetuar momente të bukura, por edhe sfida që më kanë ndihmuar të rritem. Forma ime e mirë ka qenë rezultat i përkushtimit të përditshëm dhe besimit që kam pasur nga trajnerët dhe klubet ku kam lujtur”, u shpreh ish-lojtari i Trepçës ‘89

Si çdo futbollist, edhe Rashica ka një ëndërr – dhe klubi i tij i ëndrrave është Real Madridi. Edhe pse duket e vështirë në shikim të parë, 21-vjeçari thotë se me punë mund të arrihet gjithçka.

“Klubin qe nuk do e refuzoja asnjëherë është Real Madridi. Ëndrra ime është të luaj një ditë në një nga ligat më të forta evropiane. Por më e rëndësishmja është të zhvillohem çdo vit dhe të ecë përpara hap pas hapi. Synimi im është të rritem si lojtar dhe të arrij nivelin më të lartë të mundshëm.”

Rashica është rritur në Kosovë, pasi më parë ka qenë pjesë e Trepçës ’89. Dikur luajti me Kosovën U19, por tani FFK-ja asnjëherë nuk i trokiti në derë.

Turin, Frankfurt and Rapidi with offers for the talent of Trepca '89 -  KOHA.net

“Po, jam rritur në Kosovë dhe ndihem i lidhur me të. Deri tani nuk kam pasur kontakte zyrtare me FFK-në, por do e vlerësoja shumë interesimin që mund të kenë”, përfundoi lojtari i Metalist 1925.

Rashica është një lojtar që mund të luajë në tri pozicione dhe këtë e ka bërë gjatë karrierës së tij. Si sulmues i krahut të majtë, të djathtë dhe qendror.

Sipas “Transfermarkt”, në total – Rashica ka të zhvilluar 71 ndeshje me të gjitha klubet që ka pasur, ka shënuar 17 gola dhe ka bërë 11 asiste.

Te Metalist në Ukrainë, Rashica ka luajtur tri ndeshje dhe ka bërë tri asiste. Duke treguar menjëherë potencialin e jashtëzakonshëm që ka./Indeksonline/ Granit Tërstena /

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT