Avokati i familjes Ademaj pas raportit psikiatrik të Murselit: Ndihemi të lehtësuar, pritje stresuese për mbi katër javë
Ka përfunduar ekzaminimi psikiatrik i Naim Murselit, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Murseli nuk vuan nga asnjë çrregullim apo sëmundje mendore dhe është i aftë të përballet me procesin gjyqësor.
Lidhur me këtë raport, ka folur edhe Leotrim Syla, avokat i familjes Ademaj, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Ai tha se ky rezultat ka sjellë një ndjenjë lehtësimi pas javësh të tëra pritjeje dhe ankthi.
“Ndihem shumë i lehtësuar. Ky raport ka qenë në pritje për më shumë se katër javë që nga momenti kur gjykata mori vendim për ekzaminimin psikiatrik të Naimit. Edhe familja e Liridonës ka qenë nën një stres të vazhdueshëm”, u shpreh Syla.
Ai shtoi se përmes raportit, Murseli ka tentuar ta justifikojë veprën duke u thirrur në të kaluarën e tij si fëmijë, por sipas avokatit, ky fakt nuk e ndryshon përgjegjësinë ligjore dhe morale për veprën e rëndë që i ngarkohet.
The post Syla pas raportit psikiatrik për Murselin: Lehtësim për familjen Ademaj pas katër javësh ankthi (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.