Të shtunën Kuvendi i Kosovës u kërcënua, derisa deputetët e zgjedhur u detyruan të largoheshin menjëherë nga objekti.
Sot, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla dha detaje shtesë rreth personave që mund të ishin pas këtij kërcënimi, transmeton Klankosova.tv.
“Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS”, thuhet në postimin e Sveçlës.
“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić. Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”.
The post Sveçla thotë se numri me të cilin u kërcënua Kuvendi lidhet me kriminelin, Ratko Mladiqin appeared first on Klan Kosova.