Sveçla: Te ‘Gandi’ u gjetën municion e pajisje ushtarake, është i dyshuar për vrasjen e Afrim Bunjakut

news image

Rreth orës 09:45 të mëngjesit të së enjtes, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Zveçan ka zbuluar një rimorkio të dyshimtë, brenda së cilës pas kontrollit janë gjetur pajisje dhe uniforma ushtarake.

Sipas Policisë, në rimorkio janë konfiskuar: 1 uniformë ushtarake kamufluese; 5 karikatorë me gjithsej 132 fishekë të armës së gjatë AK-47; 5 fatrolla për mbajtjen e karikatorëve; 4 palë pantallona ushtarake; 4 xhaketa ushtarake; 3 futrolla radiolidhjesh; 1 jelek antiplumb; 2 rripa ushtarakë; 1 jelek taktik; 1 çantë taktike; 1 helmetë e gjelbër; 1 kapelë dhe 1 dritë rrotative.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky municion është gjetur në pronën e Nemanja Radivojević – i njohur si “Gandi”.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë.

“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën.”, tha ai mes të tjerash.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/