Suspendim dhe gjobë, Allegri e pëson pasi u ndëshkua me të kuq ndaj Bolognas

Suspendim dhe gjobë, Allegri e pëson pasi u ndëshkua me të kuq ndaj Bolognas

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është dënuar me një ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 10,000 eurosh, pas kartonit të kuq që mori në përballjen kundër Bolonjës. Vendimi u konfirmua nga Gjyqtari Sportiv.

Allegri u përjashtua në minutat shtesë për shkak të protestave të ashpra ndaj një penalltie të dhënë, sjellje që u cilësua si mungesë respekti ndaj VAR-it dhe gjyqtarit të katërt.


Si pasojë, tekniku kuqezi do të humbasë udhëtimin e Milanit në Serie A kundër Udineses të shtunën, më 20 shtator. Në mungesën e tij, drejtimin nga stoli do ta marrë ndihmësi Marco Landucci.

Allegri pritet të rikthehet në bankinë për sfidën e radhës në kampionat, një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj Napolit që mund të ketë peshë të madhe në garën për Scudetto.

Ndërkohë, është konfirmuar edhe një pezullim tjetër në Serie A: mbrojtësi i Comos, Jacobo Ramon, do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të ekipit të tij pas kartonit të kuq direkt të marrë ndaj Genoas për një faull të rrezikshëm. /Telegrafi/