Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se “duhet të ketë drejtësi” pas sulmit të dyfishtë të Izraelit ndaj një spitali në Gaza, ku u vranë të paktën 20 persona. Një hetim fillestar i ushtrisë izraelite ka thënë se shënjestra ishte një “kamerë e vendosur nga Hamasi”.
Sulmi ka shkaktuar dënime të ashpra ndërkombëtare, pasi ndër viktimat ishin edhe pesë gazetarë dhe katër punonjës shëndetësorë. Kryeministri britanik, Keir Starmer, e përshkroi ngjarjen si “krejtësisht të pambrojtshëm”.
Më vonë të martën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) publikuan një hetim të parë, duke pranuar disa “mangësi” që kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm.
Sipas raportimeve, mes viktimave ishin edhe gazetarë që punonin për media ndërkombëtare si Associated Press, Reuters, Al Jazeera dhe Middle East Eye.
“Kjo është një tronditje dhe është e papranueshme,” deklaroi zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Thameen al-Kheetan.
“Kjo ngre shumë, shumë pyetje për shënjestrimin e gazetarëve dhe të gjitha këto incidente duhet patjetër të hetohen dhe përgjegjësit të mbahen para drejtësisë. […] Këto hetime duhet të japin rezultate. Duhet të ketë drejtësi. Ende nuk kemi parë rezultate apo masa llogaridhënieje,” shtoi ai.
Në anën tjetër, IDF deklaroi se kishte identifikuar një kamerë të vendosur nga Hamasi pranë spitalit, “e përdorur për të vëzhguar aktivitetin e trupave izraelite”. Sipas saj, trupat “vepruan për të eliminuar kërcënimin duke goditur dhe shkatërruar kamerën”, ndërsa pretendoi se gjashtë nga të vrarët ishin “terroristë”. Një zëdhënës ushtarak më vonë sqaroi se gazetarët e Reuters dhe Associated Press nuk ishin objektiv.
Raporti i IDF përbën një ndryshim toni krahasuar me deklaratën e kryeministrit Benjamin Netanyahu të hënën mbrëma, i cili e kishte përshkruar incidentin si një “aksident tragjik”.
Izraeli ka goditur disa herë spitalet në Gaza gjatë luftës, pavarësisht mbrojtjes që ato gëzojnë sipas të drejtës ndërkombëtare, duke pretenduar se Hamasi i përdor si baza ushtarake.
Ndërkohë, brenda Izraelit protestuesit bllokuan autostrada me goma të djegura dhe organizuan demonstrata në Tel Aviv dhe qytete të tjera, duke kërkuar që qeveria të pranojë një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi dhe për t’i dhënë fund luftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!