Një tragjedi e tmerrshme ka tronditur sot qytetin e Grazit dhe mbarë botën, pasi një sulm me armë në një shkollë ka lënë të paktën 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Për të nderuar viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë, Kombëtarja austriake do të mbajë shirita të zinj gjatë ndeshjes së saj kualifikuese për Botërorin, e cila do të luhet kundër San Marinos në Serravalle.
Po ashtu, është planifikuar një minutë heshtje përpara fillimit të ndeshjes, në nderim të viktimave dhe të gjithë të prekurve nga ky sulm shkatërrues.
Shoqata Austriake e Futbollit ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e saj: “Në këto çaste të dhimbshme, mendimet tona janë me familjet dhe të prekurit. U urojmë forcë dhe kurajo për të përballuar këtë kohë të vështirë!”
Rreth 1,500 tifozë të Kombëtares austriake, të cilët kishin udhëtuar për në San Marino, anuluan marshimin e planifikuar drejt stadiumit dhe hoqën dorë nga koreografia.
Në vend të saj, ata vendosën një banderolë të zezë pa fjalë dhe një tjetër me mbishkrimin “Mendojmë për ju – Grazi nuk është vetëm!”
Përveç kësaj, dy orë para fillimit të ndeshjes, një banderolë e zezë me dy kryqe të bardha dhe fjalën “Graz” në qendër u shfaq në stadiumin e San Marinos.
Në mesin e viktimave, raportohet se ka humbur jetën një nxënëse kosovare nga qyteti i Vitisë.
Ndeshja Austri-San Marino do të nisë në orën 20:45.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!