Një tanker që dyshohet se përdorej nga Rusia për të shmangur sanksionet ndërkombëtare është goditur nga dronët detarë ukrainas ‘Sea Baby’ në Detin e Zi.
Anija “Dashan”, që lundronte nën flamurin e Komoreve, u përfshi nga flakët pasi u sulmua teksa po i drejtohej portit rus të Novorossiysk me transponder të fikur.
Shërbimi Sekret i Ukrainës (SBU) publikoi pamje të momentit të sulmit, ku dronët kamikazë shihen duke iu afruar me shpejtësi dhe duke u përplasur drejtpërdrejt në trupin e anijes. Shpërthime të fuqishme dhe re të mëdha tymi u ngritën mbi tanker, i cili sipas SBU-së është çaktivizuar plotësisht. Nuk ka ende informacione për të plagosur.
SBU tha se “Dashan” vlen rreth 22.5 milion paund dhe mund të transportonte deri në 55 milion paund naftë. Tankeri ishte i sanksionuar nga BE-ja, Britania, Kanadaja, Australia dhe Zvicra, dhe konsiderohej pjesë e “flotës hije”, anije që operojnë fshehurazi për t’i mundësuar Rusisë shitjen e naftës pavarësisht sanksioneve.
Ky është tankeri i tretë i goditur nga Ukraina brenda dy javësh, pas goditjes së “Kairo” dhe “Virat” më 29 nëntor. Sipas SBU-së, objektivi i këtyre operacioneve është të ulet ndjeshëm rrjedha e parave të naftës drejt buxhetit rus.
Moska nuk ka komentuar për incidentin, por presidenti Putin ka paralajmëruar se Rusia mund të bllokojë aksesin e Ukrainës në Detin e Zi, duke i cilësuar sulmet ndaj tankerëve “akte piraterie”.
Ukraina ka goditur prej muajsh rafineritë e naftës në territorin rus me dronë me rreze të gjatë, por sulmet ndaj anijeve tregojnë një fazë të re të strategjisë së saj për të goditur ekonominë e Kremlinit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


