Një konflikt në trafik ka eskaluar në dhunë të rëndë pasditen e 26 shkurtit në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka goditur tjetrin me sopatë në kokë dhe në krah.
Rasti është raportuar rreth orës 16:00. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia policore, e cila ka takuar të dëmtuarin F. J (38-vjeçar). Ai ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje në trafik dhe një konflikti verbal, i dyshuari Fidaim Potoku (52-vjeçar) e ka goditur me sopatë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Ekipi i emergjencës ka ofruar ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas i lënduari është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesi kujdestar dhe njësia e krim-teknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe dokumentimin e provave.
Ndërkohë, i dyshuari Fidaim Potoku është paraqitur në Stacionin Policor “Jugu”, ku ka deklaruar se ka pasur përleshje fizike me viktimën, duke pretenduar se edhe vet ka pësuar lëndime në kokë dhe këmbë. Ai ka pranuar se gjatë konfliktit e ka goditur me grushte të dëmtuarin dhe nga bagazhi i veturës së tij ka nxjerrë një çelës për goma, me të cilin ka dëmtuar edhe veturën e viktimës.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


