Më 4 shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në përzgjedhjen e rastësishme, subjekti i parë fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, në zgjedhjet komunale do të garojë me numrin 105.
“105 është numri që do të na udhëheqë drejt fitores në zgjedhjet lokale të 12 tetorit! Lëvizja Vetëvendosje! do të garojë me numrin 105. Për ndryshimin që s’ndalet, për përfaqësim të denjë, të ndershëm dhe punëtor. Më 12 tetor, rrethoni 105. Për komunën që e duam. Për të ardhmen që e ndërtojmë bashkë”, ishte reagimi i VV-së pasi kuptuan numrin e tyre garues.
Partia Demokratike e Kosovës, do të garojë me numrin 191, derisa kreu i saj tha se komunat e Kosovës do të kenë mundësinë të zgjedhin udhëheqësit e tyre për një vend ma të mirë.
“Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara!”, ka deklaruar Krasniqi.
E Lidhjes Demokratike të Kosovës hise i ra numri 113, transmeton Klankosova.tv.
“Ky është numri ynë. 12 tetori është festa jonë. LDK përgjithmonë!”, ka shkruar shkurt i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet komunale të 12 tetori kandidon me numrin 174.
Kreu i saj, Ramush Haradinaj ka thënë se Aleanca ka treguar gjithmonë se është shembull për të gjithë, sepse flet puna, jo premtimet.
“174 është numri i Aleancës në fletëvotim! Më 12 tetor, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në komuna dhe vizionin tonë për fitore të reja. Aleanca gjithmonë ka treguar se është shembull, shembull për të gjithë, sepse për ne flet puna, jo premtimet. Ky është angazhimi ynë: punë, jo premtime, dhe këtë e kemi vërtetuar kudo ku kemi marrë përgjegjësi”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Kandidati i pavarur për komunën e Drenasit, Ramiz Lladrovci në zgjedhjet komunale të 12 tetorit do të kandidojë me numrin 101. “Nga “Adem Jashari” te helvetikët, me 101 arsye për fitore!”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Nisma Socialdemokrate me numrin 186 do të garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në njoftimin që kanë lëshuar, Nisma thotë se me numrin 186 po hyn në këto zgjedhje lokale me besim të plotë dhe vendosmërinë për të qëndruar pranë qytetarëve, për të mbrojtur vlerat dhe për të sjellë qeverisje që matet me vepra, jo me fjalë.
“Kosova është amaneti ynë, përkushtim i përjetshëm! Me numrin 186, NISMA Socialdemokrate hyn në këto zgjedhje lokale me besim të plotë dhe vendosmërinë për të qëndruar pranë qytetarëve, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të sjellë qeverisje që matet me vepra, jo me fjalë. “Përjetë Kosova” është besimi ynë i palëkundur, është përkushtimi i gjeneratave që e ndërtuan këtë vend me gjak, mund dhe sakrificë. Është zotimi ynë që kudo, në çdo qytet e në çdo komunë, do të jemi zëri i qytetarëve. Është zotimi ynë që të mbesim gjithmonë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shkruhet në njoftim.
“Ne do të vazhdojmë përjetësisht angazhimin tonë për Kosovën, për dinjitetin e qytetarëve tanë dhe për të ardhmen euro-atlantike që e meriton vendi ynë. Përjetë Kosova!”.
Ndërsa Guxo do të kandidojë me numrin 118, AKR me numrin 122, PSD me numrin 149 dhe Lista Serbe do të garojë me numrin 170./Klankosova.tv/.
The post Subjektet politike “rrëmbejnë” numrat për zgjedhjet e 12 tetorit appeared first on Klan Kosova.