Stuhi e madhe në Spanjë, alarm i kuq – përmbytjet rrëmbejnë gjithçka

Stuhi e madhe në Spanjë, alarm i kuq - përmbytjet rrëmbejnë gjithçka

Përmbytje të mëdha të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur rajonin verilindor spanjoll të Katalonjës, duke lënë dhjetëra njerëz të bllokuar në automjetet e tyre.

Pamje dramatike kanë qarkulluar në rrjete sociale që tregojnë përmbytjet që shkatërrojnë qytetet La Rapita dhe Santa Barbara në provincën e Tarragonës.


Për shkak të motit të keq, agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës AEMET ka shpallur alarmin e kuq, niveli më i lartë për provincën bregdetare.

Për fat të mirë, deri më tani nuk ka pasur raportime për viktima ose të lënduar.

Por, Agjencia Katalane e Mbrojtjes Civile u bëri thirrje banorëve të Deltës së Lumit Ebro në Tarragona që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

AEMET paralajmëroi se deri në 180 milimetra shi mund të bien në zonë vetëm në 12 orë.

“Situata është e ndërlikuar dhe parashikohen më shumë shira”, citohet të ketë thënë Cristina Vicente, një zyrtare e lartë në agjenci, nga gazeta La Vanguardia.

Stuhia shkaktoi gjithashtu pezullimin e trafikut hekurudhor në Korridorin Mesdhetar, i cili lidh qytete si Barcelona dhe Valencia, deri në njoftim të mëtejshëm.

Ndryshe, në ditët e fundit, shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje kanë goditur edhe disa rajone të tjera në Spanjën juglindore, përfshirë Ishujt Balearik.

Shkaku i këtij moti ekstrem është stuhia Alice, e cila është formuar në Mesdheun perëndimor. /Telegrafi/