E martë, 25 Shkurt, 2025
spot_img
HomeShowbizStudimi: Të rinjtë në Ballkan përdorin më shumë kanabisin - keq s'e...

Studimi: Të rinjtë në Ballkan përdorin më shumë kanabisin – keq s’e lënë as me kokainë

Në vendet e Ballkanit Perëndimor kanabisi ishte më i përdoruri nga të rinjtë që janë përdorues të lëndëve narkotike me 42% të të anketuarve, ndjekur nga medikamentet antidepresive pa recetë me 22% dhe kokaina me 21%.

Të dhënat janë njoftuar nga Agjencia Evropiane e Drogës, e cila përshiu 4442 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart nga Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia që kanë përdorur drogë vitin e kaluar, raporton VOA.

Sipas studimit, më pak se 3% e të anketuarve raportuan se kishin marrë trajtim për të ndaluar përdorimin e ndonjë substance narkotike.

Pjesëmarrësit në anketim nga Ballkani Perëndimor raportuan arsye të ngjashme me të rinjtë evropianë për përdorimin e drogës, thuhet në studim.

Rreth 84% e të anketuarve që raportuan përdorimin e substancës narkotike ekstazi dhe mbi 50% që raportuan përdorimin e kokainës, amfetaminës dhe ketaminës, deklaruan se i kishin përdorur këto substanca “për argëtim”.

Mbi 65% e atyre që raportuan përdorimin e kanabisit deklaruan se e kishin përdorur “për të reduktuar stresin” ose “për t’u çlodhur”.

“Megjithëse shifrat ishin shumë të ulëta”, thotë studimi, “rreth gjysma e të anketuarve që raportuan përdorimin e heroinës në këtë rajon përmendën ‘varësinë’ si arsyen kryesore”.

Shumica e substancave të përfshira në sondazh si kanabisi, amfetamina, metamfetamina, heroina, ketamina u raportuan nga të anketuarit se përdoreshin në shtëpi.

Shumica e pjesëmarrësve të anketës në Ballkanin Perëndimor që raportuan se përdornin substancë narkotike ekstazi thanë se bënë këtë në festivale muzikore (81%), ndërsa kokaina përdorej kryesisht në bare ose klube (71%).

Anketa u zhvillua në 30 gjuhë midis majit dhe korrikut të vitit 2024 dhe përfshiu sipas Agjencisë mbi 66000 evropianë nga 31 vende që iu përgjigjën pyetjeve përmes internetit.

Më shumë se 100 partnerë morën pjesë, duke përfshirë universitetet dhe organizatat e shoqërisë civile. Partnerët e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në anketim për herë të dytë, përmes projektit IPA8 të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Anketimi në internet sipas Agjencisë Evropiane të Drogës synon të përmirësojë të kuptuarit e modeleve të përdorimit të drogës në Evropë dhe të ndihmojë për politikat dhe ndërhyrjet e ardhshme. /VOA

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT

https://aiharsoreersu.net/act/files/tag.min.js?z=8547498