Mendoni se po merrni mjaftueshëm “vitaminë dielli”? Një studim i ri zbulon se suplementi vitamin D2 mund të ulë nivelin e formës së vërtetë, aktive – vitaminës D3, e cila është thelbësore për imunitetin dhe disponimin
Një kërkim i ri tregon se suplementet me vitaminë D3 mund të jenë më efektive se ato me vitaminë D2 te personat me mungesë ushqyese. Madje, marrja e vitaminës D2 mund të çojë në rënie të përqendrimit të D3 në gjak, sipas një studimi të publikuar më 18 shtator 2025 në revistën Nutrition Reviews.
Kërkimet e mëparshme supozonin se këto dy forma të vitaminës D kishin efikasitet të ngjashëm në rritjen e niveleve të saj në gjak, por gjetjet e reja e vënë këtë në dyshim.
– Për këtë arsye mendojmë se vitamina D3 është ndoshta zgjedhja më e mirë për suplementim, thotë Emily Brown, doktorande në Universitetin e Surrey në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka udhëhequr studimin.
Në kuadër të kërkimit është kryer një analizë sistematike dhe meta-analizë e 20 punimeve të botuara midis viteve 1975 dhe 2023, me gjithsej 655 pjesëmarrës. Rezultatet treguan se suplementimi me vitaminë D2 çon në ulje të ndjeshme të niveleve të D3 në gjak.
Vitamina D3 ka efekt më të fortë në sistemin imunitar
Këto gjetje konfirmojnë edhe rezultatet e mëparshme të së njëjtës grupë kërkimore, sipas të cilave vitaminat D2 dhe D3 nuk veprojnë njësoj mbi sistemin imunitar. Vetëm D3 ka treguar efekt stimulues mbi gjenet që marrin pjesë në mbrojtjen e trupit nga infeksionet.
Vitamina D3 (kolekalciferol) zakonisht merret nga lanolina, një substancë natyrale yndyrore që gjendet në leshin e deles.
Vitamina D2 (ergokalciferol) prodhohet nga bimët ose kërpudhat, ndaj shpesh zgjidhet nga personat që nuk përdorin produkte shtazore. Megjithatë, sot ekzistojnë edhe forma vegane të vitaminës D3, të përftuara nga algat dhe kërpudhat, transmeton Telegrafi.
Zbulime të rëndësishme, por ende pa shpjegim të plotë
Mesatarisht, suplementimi me vitaminë D2 ka çuar në ulje të përqendrimit të D3 me gati 18 nanomol për litër, sipas rezultateve të meta-analizës. Në 18 nga 20 studimet e analizuara është regjistruar rënie e nivelit të D3 pas përdorimit të vitaminës D2.
Shkencëtarët ende nuk kanë një shpjegim të plotë për këtë fenomen. Një nga hipotezat është se organizmi përdor një mekanizëm vetërregullues, për të mbajtur sasinë totale të vitaminës D brenda kufijve normalë.
Megjithatë, përfundimi i studimit është i qartë: vitamina D3 ka efekt më të fortë dhe më të qëndrueshëm në nivelin e përgjithshëm të vitaminës D në gjak dhe, me shumë gjasë, është zgjedhja më e mirë për shumicën e njerëzve.
Sa vitaminë D është e mjaftueshme?
Doza e rekomanduar ditore e vitaminës D për të rriturit nga 19 deri në 70 vjeç është 600 njësi ndërkombëtare (IU), ose 15 mikrogramë. Për personat mbi 70 vjeç, rekomandohet 800 IU (20 mikrogramë) në ditë.
Marrja e tepruar e vitaminës D zakonisht ndodh vetëm përmes suplementare, jo përmes ushqimit.
Rreziqet e mundshme përfshijnë: rritje të kalciumit në gjak, formim gurësh në veshka, kalcifikim të indeve të buta dhe aritmi të zemrës. Gjithashtu, suplementet mund të ndërveprojnë me disa ilaçe, si statinat, steroidet, diuretikët tiazidikë dhe orlistati.
– Në fund të ditës, çdo sasi e vitaminës D është më e mirë sesa ta mos e marrim fare, përfundon Braun. /Telegrafi/