Studimi alarmant: Hamburgerët dhe ushqimet e përpunuara po ‘vrasin’ spermën

Studimi alarmant: Hamburgerët dhe ushqimet e përpunuara po ‘vrasin’ spermën

Një studim i publikuar më 28 gusht në revistën Cell Metabolism raporton se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara mund të lidhet me përkeqësimin e shëndetit riprodhues mashkullor, përfshirë uljen e cilësisë dhe numrit të spermatozoideve

Autorët e studimit theksojnë se dieta me ushqime ultra të përpunuara nuk ndikon vetëm tek pesha trupore dhe niveli i kolesterolit, por edhe tek shëndeti kardiometabolik dhe riprodhues. Madje, efektet negative janë vërejtur edhe kur të dy grupet e pjesëmarrësve konsumonin të njëjtin numër kalorish.


“Studimi ofron dëshmi se konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara është i dëmshëm për rezultatet kardiometabolike dhe riprodhuese, pavarësisht nga sasia e kalorive të marra”, kanë shkruar autorët.

Si u zhvillua studimi

Në kërkimin e tyre, shkencëtarët rekrutuan 43 meshkuj të moshës 20–35 vjeç. Secili kaloi tri javë me një dietë kryesisht me ushqime ultra të përpunuara dhe tri javë me ushqime të papërpunuara, me një periudhë tre-mujore ndërmjet për “pastrimin” e organizmit, transmeton Telegrafi.

Rezultatet treguan se:

▪ pjesëmarrësit që konsumonin ushqime ultra të përpunuara fituan më shumë peshë dhe masë dhjamore;

▪ u rrit niveli i ftalateve (substanca që gjenden në plastikë dhe mund të prishin ekuilibrin hormonal);

▪ u ulën nivelet e testosteronit dhe hormonit FSH, të domosdoshëm për prodhimin e spermës.

Sipas ekspertëve, disa nga këto substanca endokrine mund të kenë hyrë në organizëm nga ambalazhet plastike të ushqimeve.

Rënia e numrit të spermatozoideve në botë

Shkencëtarët theksojnë se përdorimi masiv i ushqimeve të përpunuara që nga vitet 1970 përkon me një ulje prej rreth 60% të numrit të spermatozoideve në mbarë botën.

Dietologja Kristin Kirkpatrick nga Klinika e Klivlendit tha për Healthline se studimi jep një mesazh të qartë: “Edhe meshkujt e shëndetshëm, nëse ushqehen me produkte të përpunuara, rrezikojnë prishjen e ekuilibrit hormonal dhe zhvillimin e sëmundjeve kronike.”

Dr. Filip Wertman, urolog në Los Angeles, theksoi: “Nuk ka rëndësi vetëm sa kalori konsumoni, por çfarë lloj kalorish merrni. Sistemi riprodhues është shumë i ndjeshëm dhe pasqyron gjendjen e përgjithshme shëndetësore të trupit.”

Ndërsa Dr. Michael Eisenberg nga Universiteti i Stanfordit shtoi një paralajmërim: efektet e vëzhguara janë në periudhë trejavore, ndërsa prodhimi i spermës zakonisht zgjat 2-3 muaj, prandaj duhen studime më afatgjata për të nxjerrë përfundime të plota.

Ushqimet më problematike

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), 55% e kalorive që konsumojnë amerikanët vijnë nga ushqimet ultra të përpunuara. Tek të rinjtë nën 19 vjeç, kjo përqindje është edhe më e lartë.

Ushqimet kryesore që hyjnë në këtë kategori janë:

▪ hamburgerët dhe sandviçët e gatshëm;

▪ patatet e skuqura të ngrira;

▪ pijet e gazuara dhe ato të ëmbëlsuara;

▪ ëmbëlsirat dhe produktet e furrës me shumë sheqer;

▪ picat e gatshme, sallamet, salsiçet, ‘nugget’-ët dhe ushqimet e parapërgatitura.

CDC i përshkruan këto si “hiper-shijore, të pasura me energji, por të varfra në fibra, me shumë kripë, sheqer dhe yndyrna të pashëndetshme”.

Pasojat afatgjata

Studime të fundit kanë lidhur ushqimet ultra të përpunuara me:

▪ obezitetin dhe diabetin tip 2,

▪ rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës,

▪ apne të gjumit,

▪ rrezik më të madh për goditje në tru dhe rënie kognitive,

▪ si dhe me qindra mijëra vdekje të parandalueshme në SHBA gjatë viteve të fundit.

Dietologia Kirkpatrick shton: “Kur konsumojmë shumë ushqime të përpunuara, lëmë pas dore ushqimet që na mbrojnë: frutat, perimet, yndyrnat e shëndetshme dhe fibrat. Kjo krijon një boshllëk ushqyes që shndërrohet në rrezik për shëndetin afatgjatë.” /Telegrafi/