Studimet zbulojnë se një ushtrim ndihmon kundër pagjumësisë – mjafton ta bëni vetëm dy herë në javë

Studimet zbulojnë se një ushtrim ndihmon kundër pagjumësisë - mjafton ta bëni vetëm dy herë në javë

Pagjumësia është një nga çrregullimet më të shpeshta të gjumit dhe mund të jetë e përkohshme ose kronike

Ndërsa vështirësitë e herëpashershme me gjumin zakonisht shkaktohen nga stresi, ndryshimet e ritmit jetësor apo problemet e përkohshme shëndetësore, pagjumësia e vazhdueshme është një problem më serioz që ndikon në cilësinë e jetës dhe përqendrimin.


Në treg ekzistojnë shumë suplemente kundër pagjumësisë, por ekspertët theksojnë se nuk ka prova të forta që ato funksionojnë. Për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh rekomandohet një zgjidhje më natyrale: aktiviteti fizik. Por cila lloj ushtrimi ndihmon më shumë?

Ushtrimi më i mirë për gjumin

Një analizë e re, e botuar në revistën shkencore Sleep and Biological Rhythms, përfshiu 30 studime nga 13 vende me mbi 2.000 pjesëmarrës.

Rezultatet treguan se joga me intensitet të lartë është ushtrimi më efektiv për përmirësimin e cilësisë së gjumit tek personat që vuajnë nga çrregullimet e gjumit, raporton Real Simple.

Sipas studiuesve, sekreti qëndron në frymëmarrjen e thellë dhe të kontrolluar, që është thelbësore në jogë: ajo qetëson sistemin nervor, ngadalëson rrahjet e zemrës dhe ul presionin e gjakut, duke përgatitur trupin për pushim.

Për më tepër, joga ndikon edhe në aktivitetin e trurit, duke nxitur prodhimin e valëve delta, të cilat lidhen me gjumin e thellë dhe rigjenerues, transmeton Telegrafi.

Sa shpesh duhet praktikuar joga me intensitet të lartë?

Rezultatet tregojnë se dy herë në javë është ritmi ideal.

Edhe pse mund të duket logjike që “më shumë ushtrime” do të sjellin “më shumë gjumë”, shkencëtarët theksojnë se balanca është çelësi: mjaftueshëm aktivitet për të nxitur relaksin, por jo aq shumë sa të shkaktojë mbingarkesë.

Një studim i publikuar në Frontiers in Psychology (2021) vërtetoi se stërvitjet e tepërta mund të shkaktojnë hiperaktivizim, një nga shkaqet e pagjumësisë, kur trupi mbetet “tepër i ngacmuar” për t’u qetësuar.

Joga me intensitet të lartë, nuk ka të bëjë me shpejtësi apo forcë të tepërt, por me lidhjen midis lëvizjes dinamike, frymëmarrjes ritmike dhe aktivizimit të plotë fizik e mendor.

Sa duhet të zgjasë seanca?

Një nga zbulimet më interesante të analizës është se vetëm 30 minuta joga me intensitet të lartë janë të mjaftueshme për përmirësimin e gjumit. Ky përfundim përgënjeshtron studimet e mëparshme që rekomandonin 50–60 minuta.

Sipas autorëve, kjo lidhet me nivelin e kortizolit, hormonit të stresit, i cili qëndron i lartë gjatë stërvitjeve të gjata dhe mund ta pengojë procesin e relaksimit.

Në përputhje me kërkimet ekzistuese, studiuesit theksojnë se praktikimi i jogës për 8 deri në 10 javë është periudha optimale për të vërejtur përmirësime të dukshme në cilësinë e gjumit. Në përgjithësi, rreth 10 javë janë të nevojshme që një sjellje e re të kthehet në zakon të qëndrueshëm. /Telegrafi/