Pak orë para ceremonisë madhështore të Topit të Artë 2025 në Paris, dilemat për fituesin e trofeut më prestigjioz individual në futboll janë më të nxehta se kurrë.
Sipas një studimi të “CIES Football Observatory”, bazuar në analizën e detajuar të 100 lojtarëve më të mirë të fushës sipas gjashtë kritereve (lojë ajrore, mbrojtje tokësore, ndërtim, orkestrim, depërtim, asistime dhe finalizim), fituesi do të ishte Lamine Yamal, ylli i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle.
Pas tij në renditje do të pozicionohej Kylian Mbappe, i cili këtë sezon ka shkëlqyer individualisht, por në një Real Madrid që nuk ka bindur plotësisht. Podiumin do ta plotësonte një tjetër katalanas, Pedri, duke i dhënë Barcelonës një rezultat të shkëlqyer në këtë analizë.
Megjithatë, surpriza më e madhe është padyshim pozicioni i Ousmane Dembele. Sulmuesi francez i PSG-së, i cili ka realizuar 35 gola dhe ka dhuruar 16 asistime në të gjitha garat, shihet si favorit kryesor për trofeun real.
Por, sipas renditjes së CIES, ai gjendet vetëm në vendin e 7-të, pas emrave si Virgil van Dijk (Liverpool), Michael Olise (Bayern) dhe Mohamed Salah (Liverpool).
Kujtojmë se kriteret e France Football për dhënien e çmimit nuk bazohen vetëm në shifra, por përfshijnë gjithashtu paraqitjet në ndeshje të mëdha, trofetë e fituara, klasën dhe fair play-in. Prandaj, renditja përfundimtare që do të shpallet sonte në Paris pritet të ndryshojë nga ajo e CIES.
Top 10 sipas CIES Football Observatory:
Lamine Yamal (Barça)
Kylian Mbappe (Real Madrid)
Pedri (Barça)
Virgil van Dijk (Liverpool)
Michael Olise (Bayern)
Mohamed Salah (Liverpool)
Ousmane Dembele (PSG)
Joshua Kimmich (Bayern)
Achraf Hakimi (PSG)
Vinicius Jr (Real Madrid)./Telegrafi/