​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

Lajm i mirë për një grup të caktuar njerëzish

Dy studiues të njohur, L.F. Martel dhe H. Biler, që në vitin 2002 publikuan rezultatet e një studimi sipas të cilit gjatësia ideale për burrat perëndimorë ishte 188 cm.


Ata shtuan gjithashtu se kjo vazhdimisht po rritet.

Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë kanë vazhduar punën mbi këtë temë, duke theksuar se me përparimin e inxhinierisë gjenetike, prindërit do të jenë në gjendje të kontrollojnë gjatësinë e fëmijëve të tyre, dhe se kjo gjatësie ka gjasa të rritet me çdo brez të ri.

Mjekësia dhe shoqëria në përgjithësi e shohin pozitivisht faktin që gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të gjata, por shpesh anashkalohen të dhënat e shumta që tregojnë se gjatësia më e shkurtër është më e shëndetshme.

Në 20 vitet e fundit, iluzioni “më e madhe është më e mirë” është promovuar nga studime që kanë zbuluar se njerëzit e gjatë, burrat mbi 183 cm dhe gratë mbi 165 cm, kanë norma më të ulëta të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës dhe të gjitha shkaqet, krahasuar me njerëzit më të shkurtër (burrat nën 170 cm dhe gratë nën 150 cm).

Megjithatë, një grup studiuesish analizoi më hollësisht këto studime dhe gjeti se pothuajse të gjitha këta artikuj kishin injoruar të dhëna të shumta që tregonin se gjatësia e shkurtër, në vetvete, nuk ndikon negativisht në shëndet.

Për shembull, Studimi i Parë Kombëtar për Shëndetin dhe Ushqyerjen (NHANES I) nuk gjeti lidhje midis gjatësisë dhe sëmundjeve të zemrës kur u morën parasysh mosha dhe vitet e shkollimit për 13.031 burra dhe gra, të ndjekur për 13 vjet, transmeton Telegrafi.


Studiuesit raportuan se studimet e mëparshme mbi gjatësinë dhe shëndetin kishin dobësi dhe pasaktësi që komprometuan gjetjet e tyre. Kështu, Okasha dhe bashkëpunëtorët nuk gjetën asnjë lidhje midis gjatësisë dhe vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet në një studim të kryer mbi 10.700 studentë të Universitetit të Glasgout, Skoci, të ndjekur për 40 vjet.

Gjatësia mesatare para shekullit XX ishte rreth 10 cm më e ulët se sot. Megjithatë, sëmundja koronare e zemrës (SKZ) para vitit 1900 ishte e rrallë. Edhe pse vetëm rreth 50 për qind e popullsisë arrinte të jetonte deri në 50 vjeç, ata që mbijetonin deri në këtë moshë mund të prisnin të jetonin edhe 15–20 vjet të tjera. Pra, SKZ ishte e rrallë edhe pse kishte shumë të moshuar në fillim të viteve 1900 dhe më herët.

Që nga vitet 1960, vende si India dhe Singapori kanë regjistruar një rritje të madhe të incidencës së SKZ (përfshirë të rriturit e rinj) paralelisht me ndryshimet në ushqyerje dhe me rritjen e gjatësisë.

Gratë janë mesatarisht rreth 13 cm më të shkurtra se burrat dhe kanë norma dukshëm më të ulëta të SKZ. Edhe pse shpesh supozohet se hormonet e shpjegojnë këtë përparësi, ato mund të luajnë vetëm një rol të pjesshëm. Për shembull, bazuar në të dhënat për 1.700 persona të ndjerë në Ohajo, Miler gjeti se burrat dhe gratë me të njëjtën gjatësi kishin afërsisht të njëjtën jetëgjatësi.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, ndër njerëzit që jetuan më gjatë ishin japonezët, kinezët nga Hong Kongu dhe grekët, të gjithë më të shkurtër dhe më të lehtë se evropianët veriorë dhe amerikanët e veriut. Për më tepër, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kalifornisë tregojnë se aziatikët dhe hispanikët jetojnë të paktën katër vjet më gjatë se të bardhët më të gjatë.

Wild dhe bashkëpunëtorët zbuluan se indianët lindorë, kinezët, japonezët dhe hispanikët në Kaliforni kishin norma më të ulëta vdekshmërie nga të gjitha shkaqet dhe nga sëmundjet koronare të zemrës.

Një raport i një studimi 25-vjeçar mbi banorët e Okinavës tregon se ata kanë jetëgjatësinë më të madhe në botë, madje edhe më të lartë se ajo e japonezëve kontinentalë. Banorët e Okinavës mbeten të fortë dhe të shëndetshëm deri në moshë të thyer dhe ruajnë një nivel të lartë aktiviteti fizik deri në të 90-tat. Ata kanë normat më të ulëta të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës në botë, si dhe tejkalojnë shumicën e vendeve në numrin e qindvjeçarëve, me 34 për 100.000, kundrejt 5–10 për 100.000 në vendet e industrializuara. U konstatua gjithashtu se frakturat e kockave janë dukshëm më të pakta se në Japoni kontinentale dhe në SHBA.

Banorët e Okinavës ndjekin një dietë me pak kalori dhe të pasur me fibra, të mbushur me perime, drithëra dhe sojë. Ushqimi i tyre është gjithashtu i pasur me yndyra të pangopura mono dhe poli (veçanërisht omega-3). Ata konsumojnë në sasi të vogla karbohidrate të rafinuara dhe produkte shtazore, përveç peshkut. Çaji dhe sasi të vogla alkooli konsumohen çdo ditë. Megjithatë, marrja e kripës është rreth 7 gramë, shumë më e lartë se 1 gram që konsumojnë popullata me presion të ulët të gjakut gjatë gjithë jetës.

Studiuesit Wilcox dhe të tjerë nuk ia atribuojnë këtë shëndet superior gjeneve, sepse kur banorët e rinj të Okinavës migrojnë në Japoni kontinentale, Havai ose SHBA, shpejt zhvillojnë sëmundjet kronike të popullsisë vendase. Okinavianët janë më të shkurtër dhe më të lehtë se japonezët kontinentalë, dhe burrat e moshës 87–104 vjeç kanë mesatarisht 145,4 cm gjatësi dhe peshojnë 42,8 kg.

Studiues të tjerë kanë gjetur shoqëri tradicionale me shëndet të mirë dhe me pak sëmundje koronare dhe kancer. Për shembull, Walker gjeti se zezakët në zonat rurale të Afrikës së Jugut praktikisht nuk kishin sëmundje koronare të zemrës dhe kishin përqindje shumë të ulët të kancerit të lidhur me ushqimin. Zezakët ishin mesatarisht rreth 10 cm më të shkurtër se të bardhët.

Lindeberg dhe të tjerë raportuan se melanezianët që jetonin në Kitava ishin të shëndetshëm dhe se sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru praktikisht mungonin tek popullata 20-86 vjeç. Meshkujt ishin mesatarisht 161 cm të gjatë dhe peshonin 53 kg. Studimi mbi popullatat e Ishujve Solomon tregoi gjithashtu se ata nuk kishin sëmundje koronare dhe ishin të shëndetshëm, me gjatësi mesatare të burrave nga 160 deri në 163 cm.

Përfundimi i përgjithshëm është se burrat e shkurtër jetojnë mesatarisht të paktën tre vjet më gjatë se ata të gjatë. /Telegrafi/