Stërvitja e parë e Kosovës për Slloveninë: Mungesat dhe lojtarët e pranishëm

Stërvitja e parë e Kosovës për Slloveninë: Mungesat dhe lojtarët e pranishëm

Kosova ka zhvilluar pasdite stërvitjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përgatitje për ndeshjen e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 kundër Sllovenisë, që do të luhet të premten.

Disa nga lojtarët kryesorë munguan për shkak të angazhimeve të vona me klubet e tyre, por edhe udhëtimeve, pasi vetëm sot kanë zbarkuar në Prishtinë.


Edon Zhegrova nuk mori pjesë në seancë, pasi nuk kishte luajtur as ndaj Milanit në Serie A dhe as ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi i Juventusit u bashkua me ekipin të hënën në hotel.

Po ashtu, Vedat Muriqi dhe Arijanet Muriq munguan për shkak të ndeshjeve me Sassuolon dhe Mallorcan, ndërsa Elvis Rexhbeçaj, i cili luajti të shtunën për Augsburgun, të dielën organizoi ceremoninë e martesës në Prizren.

Munguan gjithashtu Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi dhe Muharrem Jashari, që kishin ndeshje të dielen.

Në stërvitjen e parë ishin të pranishëm lojtarë të tjerë të rëndësishëm për formacionin e Kosovës.

Qendërmbrojtësi i ri Albian Hajdari, i Hoffenheimit, veshi për herë të parë një fanellë të Kosovës pas vendimit për të zgjedhur Kosovën në vend të Zvicrës.

Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, gjithashtu nga Hoffenheimi, morën pjesë në stërvitje, së bashku me Milot Rashicën, i rikthyer pas një periudhe lëndimi.

Kosova vjen pas një fitoreje të rëndësishme 2-0 ndaj Suedisë në Prishtinë, që erdhi si reagim pas humbjes 4-0 nga Zvicra në Basel.

Aktualisht, Kosova ndodhet e dyta në grup me 3 pikë, pas Zvicrës me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga 1 pikë. Përveç ndeshjes me Slloveninë të premten në “Fadil Vokrri”, Kosova do të përballet më 13 tetor me Suedinë në Goteborg. /Telegrafi/