Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka bërë të ditur se subjekti që përfaqëson do të dalë me listë të veçantë për kandidatët për asamblenë e Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Statovci tha se ky vendim është marrë në bashkëbisedim dhe dakordim me partnerin e tyre qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Tash jemi në një pikë të maturuar mjaftueshëm që të dalim me listën tonë të veçantë. Këtë e kemi bërë në bashkëbisedim me partnerin tonë, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe kemi rënë dakord që në zgjedhjet lokale të kemi kandidatë për kryetarë e gjithashtu lista të veçanta, por me mundësi bashkëpunimi,” u shpreh Statovci.
Ajo theksoi se kandidatët e Listës Guxo për asamblenë komunale në Prishtinë janë profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët kanë vullnetin dhe kapacitetin për të ofruar zgjidhje konkrete për problemet lokale.
“Jam shumë e lumtur që në këtë garë kemi përfshirë profesionistë të ndryshëm, të cilët vijnë nga rrafshe të ndryshme dhe janë të gatshëm të trajtojnë çështje reale të qytetarëve, duke ofruar ide dhe zgjidhje konkrete. Kjo më duket shumë atraktive, sepse problemet lokale janë të prekshme dhe kërkojnë angazhim serioz e kreativ,” theksoi ajo.
Deputetja konfirmoi gjithashtu mbështetjen e Listës Guxo për kandidatin e LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku. /Klankosova.tv
The post Statovci për garën në Prishtinë: Jemi në një pikë që të dalim më listë të veçantë nga VV-ja (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.