HIV/AIDS, i njohur ndryshe si SIDA, mbetet ende një temë pak e diskutuar në shoqërinë shqiptare. Ky retrovirus i rrezikshëm sulmon drejtpërdrejt sistemin imunitar dhe përhapet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, transfuzioneve të gjakut të kontaminuar, përdorimit të përbashkët të gjilpërave si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji.
Nëse përparon, ai ndërhyn në sistemin imunitar, duke rritur rrezikun e zhvillimit të infeksioneve të zakonshme si tuberkulozi, si dhe infeksioneve të tjera oportuniste dhe tumore që janë të rralla tek njerëzit që kanë funksion normal imunitar.
Rastet me HIV janë të zakonshme edhe në Kosovë, por që zë nuk iu jepet. Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në maj të këtij viti janë raportuar 4 raste me HIV. Sipas këtyre të dhënave, tri raste i takojnë gjinisë mashkullore (2 grupmosha 25-34 vjeç, 1 grupmoshë 45-54 vjeç;) dhe një rast i gjinisë femërore (grupmosha 50+). Rastet janë nga komuna e Pejës, Kamenicës, Gjilanit dhe për një rast nuk është e raportuar komuna.
Derisa në prill u raportua vetëm për një rast të prekur nga virusi HIV. Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, rasti i takonte gjinisë mashkullore, grup mosha 16-24 vjeç. Rruga e transmisionit tek ky rast i raportuar, është homoseksuale (MSM). Rasti ishte raportuar nga Departamenti i Mikrobiologjisë me MedLis (pacienti akoma nuk është lajmëruar në Klinikën Infektive, prandaj dhe mungon raportimi me SMSN).
Ndërsa në periudhën janar-mars 2025, në IKSHPK u raportuan gjashtë raste të konfirmuara me HIV.
IKSHPK për Klankosova.tv tha se nga viti 2022 në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me HIV. Tri vjet më parë, sipas këtij instituti u shënuan 21 raste, në vitin 2023 u lajmëruan 20 raste dhe një numër më i lartë u shënua në vitin 2024, gjithsej 31 raste me këtë sëmundje ngjitëse.
Derisa, shefi i repartit për trajtimin e rasteve më HIV-AIDS në Klinikën Infektive të Kosovës, Murat Mehmeti i pyetur nga Klankosova.tv lidhur me ndërgjegjësimin e kësaj sëmundjeje, ai tha se mungon dhe duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.
“Mendoj që ndërgjegjësimi nuk është i mjaftueshëm mbi sëmundjen në fjalë, dhe që duhet rritur edhe më shumë ky ndërgjegjësim”, u shpreh Mehmeti.
Ai tha se kushtet në Klinikën Infektive janë mjaft të mira, derisa theksoi se barna për trajtim ka mjaftueshëm.
Lidhur me trajtimin e HIV-AIDS, Mehmeti deklaroi se terapia antiretrovirale është mjaft efektive tek pacientët, por shtoi se rastet me këtë sëmundje janë në rritje kohëve të fundit, duke apeluar kështu për kujdes të shtuar tek qytetarët e Kosovës.
Së fundmi, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA, e ka miratuar ilaçin e parë dhe të vetëm injektues që parandalon infektimin me HIV vetëm me dy doza në vit. Kjo terapi e re, Yeztugo (lenacapavir), për parandalimin e HIV-it, e zhvilluar nga kompania Gilead Sciences, ka rezultuar më shumë se 99.9% efektive në provat klinike.
Ajo u krijua për të ndihmuar veçanërisht ata që kanë vështirësi në përdorimin e përditshëm të pilulave për parandalim, apo që përballen me stigmat sociale dhe mungesën e kujdesit shëndetësor.
“Kjo është një risi që mund të ndryshojë situatën përfundimisht,” tha Matthew Hamill, infektolog në Johns Hopkins.
The post Statistikat rriten, ndërgjegjësimi ngec: Si po përballet Kosova me HIV-in? appeared first on Klan Kosova.