Starti më i dobët i Dritës në një dekadë, kriza kaplon kampionin në fuqi

Starti më i dobët i Dritës në një dekadë, kriza kaplon kampionin në fuqi

Kampioni aktual i Kosovës, Drita, ka nisur sezonin 2025/26 me shumë vështirësi.

Pas katër xhirove të para, gjilanasit kanë arritur të grumbullojnë vetëm dy pikë, duke regjistruar kështu nisjen më të dobët në dhjetë vitet e fundit.


Skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani nuk ka arritur të bindë në fushë, duke pësuar dy humbje dhe duke marrë vetëm dy barazime.

Drita u mposht në ndeshjen hapëse nga Ferizaj (1-0), barazoi në udhëtim ndaj Llapit (1-1), më pas ndaj Prishtinës (2-2) dhe në fund pësoi një tjetër disfatë zhgënjyese në shtëpi kundër Drenicës (0-2).

Ky start i zbehtë rikthen kujtimet e sezonit 2016/17, kur Drita kishte vetëm 3 pikë pas katër xhirove dhe në fund u detyrua të luante barazh për mbijetesë.

Po ashtu, edhe në sezonin 2018/19, kur e kishte nisur me 3 pikë, gjilanasit përfunduan në vendin e katërt dhe mbetën jashtë garave evropiane.

Në anën tjetër, Drita ka treguar shpesh se startet e forta janë pasaportë drejt suksesit. Në sezonet 2019/20, 2021/22 dhe 2024/25, bardhekaltërit kishin mes 9 dhe 10 pikësh pas katër xhirove, duke u pozicionuar menjëherë në krye të tabelës dhe duke mbyllur kampionatin me titull ose pjesëmarrje në Evropë.

Pikët e Dritës pas 4 xhirove në 9 sezonet e fundit:

2016/17 ➝ 3 pikë
2017/18 ➝ 4 pikë
2018/19 ➝ 3 pikë
2019/20 ➝ 9 pikë
2021/22 ➝ 10 pikë
2022/23 ➝ 6 pikë
2023/24 ➝ 8 pikë
2024/25 ➝ 10 pikë
2025/26 ➝ 2 pikë

Rezultatet e deritanishme kanë ngritur shqetësime serioze te tifozët bardhekaltër, të cilët e kanë parë ekipin të mos shfaqë lojën e zakonshme dhe të humbasë qetësinë në momentet vendimtare.

Presioni tashmë është rritur mbi trajnerin Ramadani dhe futbollistët e tij.

Drita do të ketë mundësinë e parë për të reaguar këtë të diel, kur në stadiumin e Gjilanit pret Prishtinën e Re.

Një fitore në këtë takim do të ishte jo vetëm shpëtim moral, por edhe shenjë se kampionët ende nuk e kanë dorëzuar garën për mbrojtjen e titullit.

Kujtojmë që Drita ka arritur një sukses historik, duke u kualifikuar për herë të parë në histori të klubit në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/