Më shumë se katër vjet pas njoftimit fillestar, Spotify më në fund po prezanton transmetimin audio pa humbje për përdoruesit e saj Premium.
Në një njoftim sot, Spotify konfirmoi se ka filluar të prezantojë audio pa humbje në rajone të caktuara, dhe është falas, transmeton Telegrafi.
Për të dëgjuar këngë pa humbje në cilësi të plotë, do t’ju duhet të përdorni Spotify Connect ose kufje që lidhen me anë të një kabllo (analog ose USB), transmeton Telegrafi.
Me sa duket, “shumë pajisje” me Spotify Connect tashmë mbështesin audio pa humbje, duke përfshirë marka si Sony, Samsung, Bose dhe Sennheiser, ndërsa pajisje të tjera nga Sonos dhe Amazon do të marrin mbështetje “muajin tjetër”. Bluetooth nuk mbështetet në mënyrë eksplicite.
“Për përvojën më të lehtë dhe më të mirë të dëgjimit, ne rekomandojmë transmetimin e muzikës pa humbje nëpërmjet Wi-Fi, duke përdorur një kabllo kufjesh ose altoparlantë në një lidhje jo-Bluetooth, siç është Spotify Connect. Aktualisht, Bluetooth nuk ofron bandwidth të mjaftueshëm për të transmetuar audio pa humbje, kështu që sinjali duhet të kompresohet para se të dërgohet”, tha Spotify.
Kur aktivizohet funksioni pa humbje, muzika transmetohet në formatin FLAC 24-bit/44.1 kHz, që është një përmirësim i madh në krahasim me cilësimet aktuale të cilësisë, por nuk përputhet plotësisht me atë që ofrojnë ofruesit e tjerë të transmetimit pa humbje.
Tidal, për shembull, mbështet FLAC 24-bit/192 kHz në transmetimin e tij HiRes.
Spotify njoftoi për herë të parë mbështetjen për këtë cilësi të përmirësuar audio në vitin 2021, duke e quajtur funksionin “HiFi”.
Niveli shtesë i shërbimit thuhet se ka qenë në proces për vite me radhë, por nuk është lançuar kurrë, me sa duket për shkak të kostos – kishte aludime se do të kushtonte 5 dollarë në muaj, por produkti përfundimtar, çuditërisht, vjen pa kosto shtesë për abonentët e Spotify Premium. /Telegrafi/