Spanja me një masë të re ndaj Izraelit – do të preket edhe kompania e presidentit të Real Madridit

A shihni vija të drejta apo të lakuara në imazh?

Qeveria majtiste spanjolle deklaroi të martën se do të hetojë kompanitë që reklamojnë produkte ose shërbime në vend që vijnë nga territoret palestineze nën okupimin izraelit.

Kjo masë vjen pas miratimit të një rregulloreje javën e kaluar, e cila ndalon promovimin e këtij lloji të mallrave dhe shërbimeve në Spanjë, në mënyrë që të parandalohet që kompanitë të përfitojnë nga okupimi, njoftoi ministria për mbrojtjen e konsumatorit.

Rregullorja është pjesë e një pakete masash që përfshijnë edhe embargo armësh ndaj Izraelit, me qëllim ndalimin e asaj që kryeministri Pedro Sanchez e quajti “gjenocid në Gaza”.

Ministri për Mbrojtjen e Konsumatorit, Pablo Bustinduy, tha më herët gjatë vitit se zyra e tij do të përdorë “të gjitha burimet e nevojshme” për të siguruar që asnjë kompani që vepron në Spanjë të mos përfitojë nga okupimi, raporton timesofisrael.

“Asnjë kompani nuk duhet të ketë bilancin e saj të njollosur me gjakun e popullit palestinez”, tha ai në një deklaratë gjatë një ngjarje në muajin korrik.

Organizata e Kombeve të Bashkuara të premten publikoi një përditësim të bazës së të dhënave të kompanive me aktivitete në vendbanimet izraelite në territoret palestineze, duke listuar 158 kompani nga 11 vende.

Por njëra nga kompanitë spanjolle të përmendura, kompania ndërtimore ACS, kërkoi shpejt heqjen nga lista, duke thënë se në vitin 2021 kishte shitur filialin e saj SEMI që vepronte në Izrael.

“ACS nuk kryen asnjë aktivitet në Izrael apo në vendbanimet izraelite”, tha kompania, e cila udhëhiqet nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, në një deklaratë.

Shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, megjithëse Izraeli i konsideron shumicën e tyre legjitime.

Disa nga ashtuquajturat “postblloqe” janë të paligjshme, por shpesh tolerohen dhe ndonjëherë më pas legalizohen. /Telegrafi/