Pas dy shtyrjeve për shkak të një problemi teknik dhe kushteve të këqija atmosferike, testi i dhjetë i Starship, mjetit gjigant të SpaceX të projektuar për misionet e ardhshme në Hënë dhe Mars, ka përfunduar me sukses të plotë.
Gjatë këtij fluturimi u arritën të gjitha objektivat e planifikuara. Pas rënies së kontrolluar të raketës SuperHeavy, kapsula Starship lëshoi me sukses tetë simulatorët satelitorë Starlink dhe vazhdoi fluturimin deri në një rënie të kontrolluar në Oqeanin Indian, në veriperëndim të Australisë, rreth një orë pas lëshimit.
Raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë u ngrit nga Teksasi pak pas orës 18:30, sipas kohës lokale, për një fluturim mbresëlënës që zgjati afërsisht 60 minuta.
Ky është testi i parë në historinë e programit Starship ku u arritën të gjitha objektivat e vendosura.
Ndërkohë, NASA ka planifikuar që këtë anije kozmike ta përdorë për misionin e saj të madh – dërgimin e astronautëve në Hënë në kuadër të programit Artemis në vitin 2027.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!