Ky artikull synon të inkurajojë prodhuesit e verës shqiptarë që të marrin në konsideratë kultivimin e këtij varieteti, verërat e të cilit sot janë ndër më të kërkuarat në botë
Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë, Zvicër
Sovinjoni i bardhë paraqitet si varieteti i rrushit më tërheqës i regjioneve vreshtare me klimë të freskët dhe vegjetacion të gjatë vjetor. Nuk mund të ketë varietet tjetër më të mirë se Sovinjoni i bardhë që mund t’i përshtatet çdo regjioni për t’u mbjellë dhe kultivuar. Verërat e tij janë pasionuese, me përmbajtje multiaromatike dhe shije impresionuese, të çmuara shumë në tregun evropian dhe më gjerë.
Sipas analizave moderne gjenetike, gjasat janë të mëdha dhe supozohet se Sovinjoni i bardhë është një rezultat i mutacionit natyror, kryqëzim i varieteteve Traminer aromatik X Shenini i bardhë (Chenin Blanc), ku ky mutacion supozohet se ka ndodhur në Francën qendrore – regjioni vreshtar Loire. Nga kjo shpjegohet përhapja e këtij varieteti shumë të çmuar në tërë regjionet vreshtare të Evropës dhe të botës.
Sovinjoni i bardhë fillimisht është edhe një përfaqësues i shumëllojshëm dhe i denjë i varieteteve të rrushit për verëra të bardha. Mund të japë një vëllim stilor të verërave; me këtë nënkuptojmë se mund të japë verëra të shumëllojshme në shije dhe aromë, nga ato të cilësisë shumë të mirë e deri tek ato të cilësisë kulminante. Tek prodhimet e verërave të Sovinjonit të bardhë është edhe një shprehje artistike “Stil pluralizmus” (stil plural), realisht shumë i pranishëm dhe me vend.
Stili i verave
Stilistika e një vere të Sovinjonit të bardhë është shumë eterore (shumë erëmuese/amezë erëzash). Ndikim parimor luajnë kushtet klimatike, masa e të reshurave atmosferike dhe temperatura gjatë periudhës së pjekjes së rrushit, ku kanë një rol thelbësor në zhvillimin dhe përmbajtjen e materieve ushqyese në kalavesh. Regjionet vreshtare me klimë të freskët dhe periudhë të gjatë vegjetacioni janë të përshtatshme dhe të predestinuara për kultivimin e varieteteve të Sovinjonit të bardhë dhe për çdo rast me vlerë për t’u prezantuar. Kosova ka një zonë të përshtatshme për këtë varietet që i plotëson po këto kushte të kërkuara, e posaçërisht regjioni (dikur) vreshtar i Pejës dhe Istogut plotësojnë kriteret për kultivimin e këtij varieteti. Regjioni vreshtar i Suharekës posedon mbi 20 ha me këtë varietet gjithashtu shumë i suksesshëm. Anadrini me qendër Rahovecin mund të prodhojë cilësi të lartë të Sauvignon Blanc, si dhe gjithashtu regjionet vreshtare të Shqipërisë. Ndikim të madh ka natyrisht edhe viti i prodhimit në profilin e tij. Vitet e nxehta sjellin realisht verëra të forta, kompakte, me një finesë në aromë e cila pashmangshëm erëmon në frutet ekzotike e veçanërisht të ananasit.
Përpunimi i verërave të Sovinjonit të bardhë është i shumëllojshëm. Mënyrat e përpunimit shkojnë nga kovat e rëndomta metalike e deri tek ato të drurit me masa të vogla përmbajtëse.
Prej vreshtës me mur gjethor të lartë e deri tek ato me përmbajtje të vogël gjethore, ky faktor është një nga faktorët kryesorë që ndikon në cilësinë e rrushit, mushtit dhe verës.
Nga ky faktor varet gjithashtu ndryshimi i përmbajtjes në gradë ëmbëlsire, ekstrakte dhe acideve në rrush, musht dhe verë. Verërat e Sovinjonit të bardhë dëshmohen si “verëra të mëdha”, ku hyjnë në kategorinë e verërave më me nam në botë si ato të Shardonesë, Rizlingut, etj.
Theksimi i shumëllojshëm dhe tipiciteti rajonal është parimor për të gjitha verërat e në veçanti për kultivuesit e Sovinjonit të bardhë, ku duhet të jetë edhe qëllimi kryesor. Nga vreshta me një përmbajtje të parregulluar frutore, me një masë të madhe rentabiliteti, nga rrushi i papjekur fiziologjikisht mirë, nuk mund të priten as rezultate të mira në cilësinë e verës dhe as tipicitet i theksuar. Kur e kemi një cilësi të lartë të përmbajtjes frutore, tani mund të prezantohemi me theksueshmërinë tipike të verës së Sovinjonit të bardhë, ku ky parim vlen edhe për varietete tjera të rrushit për verëra.
Buqeta e verërave të Sovinjonit të bardhë
Pas atributeve të aromave, si p.sh. aroma vegjetabile (e barojave të gjelbra), aroma pikante, ekzotike, aromë hithrash, lule shtogu, limoni, barishtore, spec, domate, minerale, mango, rrush frëngu e të tjera, fshihen edhe shumë materie aromatike që e kompletojnë buqetën, të cilat relativisht janë shumë mirë të studiuara. Në vazhdimësinë e këtyre grupeve aromatike dominon para së gjithash paraqitja karakteristike e aromës dhe shijes së këtij varieteti.
Methoxypyrazin-i. Nga ky grup janë para së gjithash 2 lidhje përbërëse kimike me rëndësi, që kanë ndikim dominues në aromën e Sovinjonit të bardhë:
a. Isobutyl-Methoxypyrazin (IBMP) – që lëshon aromë speci, shpargulli, bari të njomë dhe hithrash.
b. Isopropyl-Methoxypyrazin (IPMP) – që lëshon aromë bizelesh, fasuleje të gjelbër, mineralesh, përkatësisht aromë të frutave ekzotike.
Kjo fryrje aromash të Methoxypyrazin-ëve nga rreth 2 nanogramë (ng) për litër paraqet reagim të përgjithshëm e të fortë të materieve aromatike, edhe pse gjenden në përqendrime shumë të vogla. Kjo është një masë shumë e vogël me efekte të theksuara në aromë dhe masa prej 2 ng (nanogramë) është 1 e një miliardta pjesë e gram-it (0,000000002 gr.). Vlera e Methoxypyrazinit, sipas prejardhjes, mund të jetë e ndryshme në përmbajtje, nga 0 deri 70 ng/l. Masa në praktikë e përmbajtjes së IBMP në verë është nga 0 deri 5 ng/l, që mund të arrihet në regjionet me klimë të nxehtë vreshtare, ndërsa në regjionet e freskëta klimatike vreshtare, gjegjësisht në vitet me sezone shumë të freskëta, vlera e përmbajtjes së IBMP mund të arrijë edhe më shumë se 25 ng/l.
Kështu p.sh. përmbajtja e Methoxypyrazinit në verërat e Kosova Holding të Suharekës është në mënyrë dominuese shumë e lartë. Para së gjithash, përmbajtja e Pyrazinit si materie aromatike përcaktohet sipas kushteve klimatike dhe shkallës së pjekjes së rrushit. Frytet që rriten në kushte të freskëta klimatike kanë përmbajtje më të lartë të materies së Pyrazinit.
Përmbajtja e Methoxypyrazinit bie me tejkalimin e pjekjes fiziologjike të rrushit, dritës së diellit dhe temperaturës së rrushit. Vlera e Methoxypyrazinit në rrush, në fillimin e pjekjes, është e lartë, por me tejkalimin e pjekjes bie.
Nëse kalaveshët e rrushit janë të mbuluara shumë me gjethe, duke penguar dritën e diellit dhe ajrosjen e duhur, pengohet gjithashtu edhe ndërtimi i Methoxypyrazinit si materie aromatike e rrushit të Sovinjonit të bardhë si karakteristikë e varietetit.
Methoxypyrazini është i koncentruar më së shumti në gërdhëra, farishta dhe në vetë lëvoren e kokrrës së rrushit. Për nga përmbajtja kimike është shumë stabil; gjatë përpunimit të rrushit përmbahet mirë dhe gjatë një oksidimi eventual nuk e humb efektin e vet.
Parimisht mushti i Sovinjonit të bardhë nuk kundërmon fare erë, kështu që vetëm në përmbajtjen e Pyrazinit mund të ketë nota në erën e barit të njomë apo aromë të specit të gjelbër.
Në këtë vështrim, ekstraktimi nga Methoxypyrazini gjatë një përzierjeje të rrushit dhe mushtit të gjatë kohore merr një ngritje, por gjithashtu edhe një tërheqje të lehtë të Izobutyl-Methoxypyrazinit.
Veçoritë e verës së Sovinjonit të bardhë (Sauvignon Blanc)
Se çfarë stili të aromës zhvillohet në varietetin e Sovinjonit të bardhë, duke përjashtuar teknologjinë e prodhimit vreshtar dhe duke marrë parasysh edhe ndikimin e theksuar të faktorëve të tjerë me rëndësi në buqetën e verërave, rol me rëndësi luajnë: kloni i varietetit, vendi i kultivimit, mirëmbajtja e hardhisë dhe koha e vjeljes.
Sipas të dhënave nga Laurent Audeguin nga Instituti i Verëtarisë Franceze, ekzistojnë rreth 600 klone të Sovinjonit të bardhë të njohura, por vetëm 20 prej tyre kanë domethënie të madhe dhe janë më të përhapurat në botën vreshtare. Nga qendra e zbuluesve dhe kultivuesve të kloneve në Itali vijnë dy klone që më së shumti janë të përhapura: Vitis Rauscedo dhe Istituto Conegliano, si dhe klonet Haidegg 11, A 17-1, Haidegg-12, Haidegg-13, 159, 242, 108, 230 e të tjera.
Vendi apo rajoni i kultivimit
Sovinjoni i bardhë është një varietet i rrushit shumë i bujshëm. Duke marrë këtë parasysh, është shumë me rëndësi zgjedhja e vendit të kultivimit, duke ia përshtatur të gjitha kushtet për një rritje dhe zhvillim standard. Nuk ka rekomandime gjenerale për një vendkultivim optimal, shumë më shumë kjo varet nga stili i prodhuesit, çka ai dëshiron. Por duhet pasur parasysh se Sovinjoni i bardhë është i dobët ndaj ngricave dimërore. Në vreshtat me bujshmëri të madhe të hardhive, në parcela me pozita të ulëta gjeografike, ku ajri është i dendur, i lagësht me mjegulla dhe ngrica, ngrirja e hardhisë është e lartë. Në vijim futet gjithashtu edhe një infektim i lartë nga bakteret (Agrobacterium vitis).
Në bujshmërinë shumë të madhe të hardhisë, shfaqet edhe predispozita për kalbje, që përmes një bujshmërie të organeve vegjetative të dendura gjithashtu rrezikohet edhe cilësia e rrushit. Një tejkalim i masës me ujë çon realisht në një hollim të materieve minerale në përmbajtjen e rrushit. Një mbingarkesë me ujë në fillim të fazës së pjekjes, me ndikim në kalbjen e rrushit, mund ta nxisë paraqitjen e Thiolëve vetëm në shkallën paraprake të përpunimit.
Zgjedhja e përshtatshme e rajonit për kultivim dhe mirëmbajtja e vreshtës në mënyrë sa më të mirë janë kushte vendimtare dhe të domosdoshme për cilësinë e rrushit dhe mushtit, me tendenca në nxjerrjen e cilësisë së verës në stile shijuese dhe aromatike të tipit të Sovinjonit të bardhë. Prandaj, vreshtat në Suharekë, Kosovë, janë ideale për varietetin Sauvignon Blanc, ku edhe po tregojnë rezultate të shkëlqyera!
Në Kosovë, kushtet për kultivimin e këtij varieteti janë më të mira se gjetkë përmes përzgjedhjes së vend.
Mirëmbajtja e hardhisë – e rrushit
Siç është lartpërmendur, për nxitjen e përmbajtjes vegjetabile (aroma të ananasit, specit, bananes …) duhet të ndërmerret një çlirim apo shpaluarje e hershme menjëherë mbas fenofazës së lulëzimit të kalaveshëve, duke bërë një defolim (mënjanimi i bisqeve dhe disa gjetheve nga zona frutore e hardhisë), me ndikim në ngritjen e përmbajtjes së Methoxypyrazinit dhe, në fenofazën e pjekjes, përmes dritës së diellit, kjo përmbajtje do të reduktohet duke u shndërruar në aroma të mira komplekse.
Intensiteti i këtyre operacioneve të punëve në mirëmbajtjen e hardhisë natyrisht që ka ndikim në shtjellimin përkatës të stilit të verës së Sovinjonit të bardhë. Kështu është për t’u menduar dhe, përfundimisht, përmbajtja e shëndoshë e rrushit është me domethënie qendrore për cilësinë e verës.
Për spërkatjen preventive kundër botritisit, gjithashtu edhe për një tharje të shpejtë të kalaveshëve, është parimore që kalaveshët të jenë të rralla, jo të dendura me kokrra rrushi, por jo edhe me tepricë në numër të tyre në zonën frutore të hardhive.
Kalaveshët me kokrra të gjelbra të rrushit
Kalaveshët me kokrra të verdha/artë të rrushit
▪ Kalaveshët me kokrra të gjelbra japin verëra me aromë vegjetabile, acidike, grapefruit dhe verëra të holla.
▪ Kalaveshët me ngjyrë të verdhë/artë japin verëra komplekse, të pjekura dhe kompakte trupore.
/Telegrafi/