Çmimi prestigjioz Nobel për Paqe do të shpallet sot, mes pritshmërive të larta dhe diskutimeve të shumta rreth kandidatëve të mundshëm. Një nga emrat që ka ngjallur më shumë debat është ai i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili prej vitesh ka pretenduar se meriton këtë çmim.
Trump ka deklaruar në disa raste se ka ndihmuar në ndaljen e disa konflikteve ndërkombëtare. Gjatë një takimi me liderë nga Evropa dhe Ukraina në gusht, ai tha se kishte “përfunduar shtatë luftëra”. Po ashtu, në një intervistë me Fox News, Trump u shpreh: “Askush nuk ka bërë diçka të ngjashme me mua.”
Megjithatë, ekspertët e sigurisë janë më të kujdesshëm në vlerësimet e tyre. Dr. Samir Puri nga instituti Chatham House shpjegon se ndërhyrjet e Trump-it shpesh përfaqësojnë menaxhim konflikti, jo zgjidhje afatgjatë të shkaqeve të luftës. “Ka një dallim të madh mes ndalimit të përkohshëm të luftimeve dhe adresimit të shkaqeve themelore që sjellin konflikt,” thotë ai.
Afati për nominime për çmimin Nobel 2025 ishte më 31 janar. Trump është nominuar më shumë se 10 herë gjatë dy mandateve të tij nga figura të ndryshme politike, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministrin e Kamboxhias Hun Manet, një politikan ukrainas dhe ligjvënës nga SHBA, Suedia dhe Norvegjia.
Megjithatë, Komiteti Nobel nuk publikon listën zyrtare të kandidatëve përpara shpalljes së fituesit, dhe nuk dihet nëse ndonjë nga nominimet për Trump ka qenë e vlefshme brenda afatit të caktuar.
Kujtojmë se këtë vit janë nominuar gjithsej 338 kandidatë – 244 individë dhe 94 organizata.
Pavarësisht fushatës së gjatë të Trump për këtë çmim, ekspertët mbeten skeptikë për mundësinë reale që ai të shpallet fitues këtë vit, pasi çmimi zakonisht jepet për kontribute konkrete në paqe dhe pajtim, jo për pretendime të debatueshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!