Sot përfundon masa e përkohshme, çfarë aktgjykimi të ri do të kemi nga Gjykata Kushtetuese?

Sot përfundon masa e përkohshme, çfarë aktgjykimi të ri do të kemi nga Gjykata Kushtetuese?

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në lëndën e parashtruar nga deputetët e Listës Serbe rreth veprimeve të mëtejme të Kuvendit të Kosovës, ku u ndalua çdo veprim për formimin e Qeverisë së re deri në një vendim tjetër.

Hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë u bë shkas që më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendoste një masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime dhe të zhvillonin ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re të vendit për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.


Lista Serbe ishte ankuar në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, do ta shpallte organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.

Kushtetuesja tha se masën që do të jetë në fuqi deri sa ajo të nxjerrë një aktgjykim, e vendosi në mënyrë ex officio, dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke e arsyetuar me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme”.

Por, çfarë ka paralajmëruar ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu?

Ai ka thënë se të martën e 30 shtatorit pritet një vendim historik i kësaj gjykate lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.

Në një reagim të tij, Kryeziu ka theksuar se debati publik është përqendruar tek mënyrat e zgjedhjes së nënkryetarëve, por sipas tij thelbi i çështjes është vetë konstituimi i Kuvendit

“Nëse Gjykata thotë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhur të gjithë nënkryetarët – pra se Kuvendi nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë – atëherë një komuniteti i jepet çelësi i shtetit. Kjo nuk është interpretim kushtetues, kjo është vetëvrasje shtetërore”, ka deklaruar ai.

Kryeziu tutje ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji ekspertë kanë punuar për të ofruar analiza dhe materiale juridike në mbështetje të gjyqtarëve, duke nënvizuar se vetoja nuk ka asnjë bazë në Kushtetutë.

Ai ka paralajmëruar se çdo vendim i kundërt do të ishte i rrezikshëm dhe me pasoja të rënda.

“Historia e ka parë këtë skenar më 28 mars 1989, kur na thoshin se ‘asgjë e keqe nuk do të ndodhte’ nga amendamentet kushtetuese. Por çdo e keqe ndodhi. Sot rreziku është edhe më i madh.”

Në fund, ai ka theksuar se përgjegjësia e gjyqtarëve është e madhe, pasi vendimi i tyre nuk do të mbetet vetëm çështje juridike, por edhe gjykim i historisë.

“Petku i gjykatësit kushtetues nuk të mbron dot nga gjykimi i historisë”. /Telegrafi/