Sociologu Xhenis Beqiri ka folur për bullizmin në shkolla, duke thënë se e sheh jo si një sjellje të thjeshtë individuale, por siç tha ai, si pasqyrë e problemeve më të mëdha shoqërore që ndikojnë në ambientin shkollor.
Beqiri për Klankosova.tv tha se shkaktarët për këtë gjë janë të shumtë, duke filluar nga mungesa e një klime mbështetëse në shkolla, mungesa e mbikëqyrjes, e siç tha ai, deri te ndikimi i rrjeteve sociale dhe i mjedisit familjar”.
“Në shumë raste në Kosovë, bullizmi ndodh sepse mungojnë rregulla dhe mënyra të qarta se si të raportohet dhe të ndërhyhet, dhe sepse ende nuk e trajtojmë këtë problem me seriozitetin që meriton”, është shprehur ai.
Sociologu gjithashtu tregoi se cili është ndikimi i bullizmit tek fëmijët.
“Ndikimi i bullizmit është i madh dhe afatgjatë. Fëmijët që përjetojnë bullizëm shpesh humbin vetëbesimin, përjetojnë ankth, stres dhe madje edhe tërhiqen nga shkolla dhe mësimi”.
“Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje individuale, por një problem që prek gjithë sistemin arsimor dhe shoqërinë në tërësi. Për këtë arsye, është e domosdoshme që shkolla, prindërit dhe institucionet të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar një ambient të sigurt dhe të barabartë për të gjithë nxënësit”, është shprehur sociologu Beqiri për Klankosova.tv.
The post Sociologu Beqiri: Fëmijët që bullizohen humbin vetëbesimin, përjetojnë ankth dhe stres appeared first on Klan Kosova.