Organizata kërkimore daneze “Digital Responsibility” ka ngritur akuza serioze ndaj Snapchatit, duke thënë se platforma sociale po u mundëson një “numër shumë të madh” tregtarësh droge të veprojnë hapur, duke e bërë kështu më të lehtë edhe për fëmijët blerjen e substancave të rrezikshme si kokaina dhe opioidët.
Sipas hulumtimit të kësaj organizate, e cila promovon zhvillimin e përgjegjshëm digjital, është gjetur dëshmi se Snapchati nuk moderon gjuhën e lidhur me drogën në emrat e përdoruesve dhe nuk reagon mjaftueshëm ndaj raportimeve për profile që shesin drogë hapur, raporton The Guardian.
Studiuesit përdorën profile të simuluara të 13-vjeçarëve dhe identifikuan dhjetëra tregtarë droge në Snapchat, të cilët operonin nën emra përdoruesish me fjalë kyçe si “coke”, “weed” dhe “moli”.
“Si fëmijë apo i ri, nuk ke pse t’i kërkosh vetë këto profile, Snapchat mund t’i rekomandojë direkt për ty. Kjo është shumë problematike”, ka thënë drejtori ekzekutiv i “Digitalt Ansvar”, Ask Hesby Holm.
Sipas të dhënave, kur u raportuan 40 prej këtyre profileve, Snapchat largoi vetëm 10, ndërsa kërkesa për 30 të tjera u refuzua.
Hulumtimi zbuloi gjithashtu se, pavarësisht kritikave të mëhershme, sistemet e rekomandimeve të Snapchatit shpërndanin e promovonin profilet e tregtarëve të drogës edhe te përdoruesit që më herët nuk kishin treguar interes apo ndërvepruar me ta – përfshirë fëmijët.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Snapchatit ka thënë se kompania “ka tolerancë zero për shitjen e drogës në platformë” dhe se, edhe pse jo të gjitha llogaritë e përmendura në studim ishin raportuar përmes aplikacionit, mbi 75 për qind e tyre ishin mbyllur tashmë nga ekipet e Snapchatit para publikimit të raportit, ndërsa të gjitha llogaritë u “çaktivizuan” pas publikimit të tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!