Lidhja Demokratike e Kosovës dje e ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shfuqizoi udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Në lidhje me këtë dorëzim të këtij vendimi ka folur deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili tha se e kanë plotësuar dosjen që e kanë në Prokurorinë Speciale me pozitat e ish-ministrave dhe mbajtjen e dy pozicioneve nga ta, që sipas tij, është anti-ligjore dhe anti-kushtetuese.
“Vendimi i fundit i Supremes e vërtetoi një gjë që e kemi thënë prej fillimit se nuk mund të jenë edhe ministra edhe deputetë. Pra, vijnë paradite që të votojnë si deputetë dhe shkojnë pasdite marrin vendime të rëndësishme për vendin”.
“Kjo nuk është ligjore, nuk është kushtetuese dhe nuk duhet të lejohet. Ne po kërkojmë nga Prokuroria Speciale që të marrë masa. Prokuroria ka kërkuar prej nesh dokumentim shtesë, pra prokurorët kanë kthyer përgjigje ndaj kallëzimeve tona penale dhe ky vendim i fundit i Supremes është ajo që e plotëson edhe dosjen tonë”, tha Zogaj në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, Zogaj tha se kërkojnë nga Prokuroria Speciale masa hetimore dhe po ashtu kërkojnë që t’i shtyjnë deri në dorëheqje ministrat në detyrë që janë edhe deputetë.
“Ne kërkojmë masa hetimore dhe me i shty ndoshta deri në dorëheqje dhe të iu tregohet qartazi këtyre që i kanë uzurpuar zyrat e qeverisë që nuk mund t’i mbajnë dy pozicionet. Kjo nënkupton që çdo vendim që është marrë prej qeverisë është joligjor”.
“Ne i kemi mbledhur të gjitha vendimet, i kemi dorëzuar atje dhe kemi argumentuar se aty ka shkelje të mëdha ligjore nga të gjithë ministrat që janë edhe deputetë. Ne kërkojmë prej Prokurorisë që të marrë masa, e ato masa i din ato masa. Ne s’kemi propozuar masa”, tha ai.
The post “S’mund të jenë ministra dhe deputetë”, Zogaj: Kërkojmë masa nga Prokuroria Speciale appeared first on Klan Kosova.