Dyshimet për mashtrim rreth dronit kamikaz “Skifter K1” po thellohen.
Videoja e publikuar nga dy kompani nga Gjilani, ku pretendohej se tregonte goditjen e një caku mbi 1000 kilometra largësi, rezulton të jetë material i një kompanie kineze, i përdorur më herët për promovim, transmeton Klankosova.tv.
Profesori Latif Mustafa, në emisionin “Kosova Today” fillimisht ngriti dyshimet se si një kompani private mund të posedojë eksplovizë.
“Ne e dimë që për me ngrit dron në qiell, duhesh me i marr nja dy leje, një është tek KFOR-i, tjetra te Policia, dhe diqysh m’u duk pak e dyshimtë kjo punë”, tha Mustafa në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, ushtaraku Esat Çollaku, tha se në Kosovë së pari nuk ekziston ndonjë lloj ekspertize, dhe asnjë agjencion i cili mund të certifikojë armatimin në Kosovë, e lë më dronët.
“Kosova po bie pre e disa budallakive politike. E them këtë fjalë me plot përgjegjësi”, tha në Klan Kosova.


