Skandaloze: Objekti pa leje ndërtohet gjatë fushatës – kush po mbron këtë “krim urbanistik” në rrethrrotullimin afër “Marigona Rezidencë”?

news image

Në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, në rrethrrotullimin afër “Marigona Rezidencës” është duke u ndërtuar një objekt masiv, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ndërtimi ka ndodh, ndonëse kjo zonë është e përcaktuar si e ndaluar për ndërtim dhe për këtë objekt nuk ekziston asnjë leje ndërtimi.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë rast, është fakti se ky ndërtim ka ndodhur në sy të institucioneve shtetërore – Inspektoratit të Komunës së Graçanicës dhe Policisë së Graçanicës – por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta ndalur apo për ta rrënuar objektin.

Fotografitë nga terreni tregojnë një strukturë që ka marrë formë të qartë: themele të betonit, mure me tulla dhe skelet metalik, duke dëshmuar për një ndërtim të avancuar.

Në pamjen nga Google Earth, objekti dhe hapësira përreth janë të qarta, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një ndërhyrje serioze në territor.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali në terren, ndërtimi ka filluar gjatë fushatës zgjedhore – një periudhë që shpesh shfrytëzohet për të anashkaluar kontrollin institucional. Kjo nxit dyshime të forta se fushata është përdorur si mbulesë për të kryer këtë ndërtim të paligjshëm.

Fqinjët dhe banorët përreth kanë reaguar me shqetësim të madh, duke theksuar se objekti po u pengon jetesën dhe po dëmton hapësirën publike.

Ata kanë bërë thirrje të shumta tek autoritetet, por vetëm para dy netësh është parë një reagim nga Policia dhe Inspektorati – të cilët e kanë rrethuar vendin me shirita.

Autoritetet përgjegjëse ende nuk kanë folur për rastin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/