Skandal me pronën në Prizren: 15 vite gjyq, kontratë e falsifikuar dhe marrëveshje verbale (VIDEO)

Skandal me pronën në Prizren: 15 vite gjyq, kontratë e falsifikuar dhe marrëveshje verbale (VIDEO)

Një proces gjyqësor që ka nisur para 15 vitesh, ende nuk ka marrë epilog.

Në qendër të tij është një pronë në Prizren, për të cilën pretendojnë tre pale: pronari serb, një blerës shqiptar dhe shfrytëzuesi aktual i tokës.

Kiks Kosova pati raportuar për këtë rast muaj më parë. Derisa përfaqësuesi ligjor i blerësit të tokës ka treguar zhvillimet e fundit të lëndës.

Në emisionin Kiks Kosova, avokati Florim Shefqeti ka zbuluar se kontrata mes zyrtarit të Kadastrës dhe pronarit serb rezulton të jetë e falsifikuar.

Ky përfundim ka dalë nga ekspertiza e grafologjisë, ndërsa vetë pronari serb, Zoran Gariq, ka deklaruar në gjykatë se nuk e ka nënshkruar kurrë dokumentin.

Megjithatë, shfrytëzuesi i tanishëm i tokës pretendon se e ka blerë atë me një marrëveshje verbale me punëtorin e Kadastrës diçka që, sipas avokatit Shefqeti, nuk mund të konsiderohet titull juridik për të fituar të drejtën e pronësisë.

“Procesi është kthyer në rivendosje për të tretën herë. Por me gjetjet e reja të grafologjisë, gjyqtarëve do t’ua lehtësojë punën dhe presim që rasti të marrë drejtim përfundimisht”, tha avokati.

Kjo ngjarje që ka mbajtur peng një pronë për më shumë se një dekadë e gjysmë, vë në pah funksionimin e sistemit gjyqësor dhe rrezikun e manipulimeve me dokumente në proceset e pronësisë në Kosovë. /Klankosova.tv

The post Skandal me pronën në Prizren: 15 vite gjyq, kontratë e falsifikuar dhe marrëveshje verbale (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.