Kryeministri Albin Kurti ka folur për mediat pas takimit me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, për çështjen e presidentit.
Ai konfirmoi se nuk janë dakorduar për këtë çështje, duke shtuar se partitë veç e veç do të propozojnë emrat për kreun e shtetit.
“Shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti. Kur s’ka mundësi për marrëveshje politike a propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt, por emrat e përveçëm”, u shpreh Kurti.
Kreu i LVV-së tha se nesër do të mbajnë Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku tha se do të diskutohet edhe kjo çështje.
Ai tha se ende nuk e kanë një emër për President.
“Ne nuk jemi përcaktuar për emër të veçantë. LVV është subjekti më i madhi në Kosovën e pasluftës, dhe besoj që nuk është vështirësia aty (te emri), por te hapat që na presin në vijim. Uroj në një garë demokratike e të hapur, dhe sa më parë ta kalojmë këtë sfidë”, deklaroi kryeministri Kurti.


