Sir Elton John shfaqet në ndeshjen Watford pas fotografive shqetësuese nga spitali

Sir Elton John shfaqet në ndeshjen Watford pas fotografive shqetësuese nga spitali

Sir Elton John u pa i buzëqeshur dhe me humor të mirë këtë fundjavë në stadiumin Vicarage Road, ku ndoqi nga tribunat ndeshjen mes Watford dhe Blackburn Rovers.

Legjenda e muzikës, 78 vjeç, dhe ish-kryetar i klubit, zgjodhi të ulej në vendet premium, duke mbajtur syzet e tij karakteristike blu, një fanellë të re të Watford-it poshtë xhaketës së zezë dhe pantallona të zeza.


Para fillimit të lojës, Elton u pa duke biseduar me tifozët pranë tij dhe duke shijuar atmosferën e stadiumit, shkruan DailyMail.

Duke folur për fanellën e re të ekipit, ai tha: “Pasioni im për këtë klub nuk ka vdekur kurrë. Jam krenar për Watford-in që kur isha pesë vjeç, kur luanim me uniformë blu dhe kishim dy tribuna të vjetra e të rrënuara. Është në zemrën dhe shpirtin tim, tifozët kanë qenë gjithmonë në zemrën time”.

Shfaqja e tij në stadium erdhi vetëm pak ditë pasi ai shqetësoi fansat me disa fotografi nga spitali, ku dukej i shtrirë në shtrat dhe me trup të mbështjellë në gips.

Megjithatë, këngëtari shpjegoi më pas se gjithçka ishte pjesë e një shakaje dhe një promovimi për filmin e ri Spinal Tap II.

Ai bëri humor në Instagram duke shkruar: “U tund shumë… përfundova në gips!”, ndërsa sqaroi se ishte thjesht prapa skenave të projektit filmik.

Spinal Tap II: The End Continues, me regji nga Rob Reiner, vjen 41 vjet pas filmit kult This Is Spinal Tap. Në të, Elton do të bëjë një paraqitje të shkurtër krahas ikonave të tjera të muzikës si Sir Paul McCartney dhe Garth Brooks.

Projekti do të ndjekë ribashkimin e grupit imagjinar rock, duke e sjellë atë për herë të fundit në skenë pas një pauze të gjatë.

Elton John, që la postin e kryetarit të Watford në vitin 2002, mbetet president nderi i përjetshëm i klubit dhe një nga figurat më të dashura për tifozët.

Prania e tij në stadium këtë fundjavë ishte një rikthim i ngrohtë dhe i shumëpritur për komunitetin sportiv e muzikor njëkohësisht. /Telegrafi/