“Sinjalizuesi”: Prokuroria t’i hetojë pretendimet e Halilit për keqpërdorime mes RTK-së e BIRN-it

RTK

Organizata joqeveritare “Sinjalizuesi”, ka reaguar pas zhvillimeve në RTK, ku drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka publikuar disa dokumente e kontrata me të cilat pretendon se ka pasur procedura të parregullta në mes RTK-së dhe “BIRN Kosova”.

“Sinjalizuesi” tha se vlerëson se deklarimet publike të bëra nga Halili, lidhur me dyshimet për shkelje të procedurave ligjore dhe keqpërdorim të fondeve publike në RTK, përbëjnë një rast tipit të sinjalizimit, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Prandaj, theksojmë se: Z. Halili është sinjalizues sipas përkufizimit ligjor, pasi në cilësinë e punonjësit të RTK-së ka raportuar publikisht dyshime për shkelje të ligjit dhe keqpërdorim të fondeve publike. Ligji i garanton atij mbrojtje nga çdo formë hakmarrjeje, ndëshkimi apo dëmtimi të reputacionit si pasojë e publikimit të informacionit”, tha “Sinjalizuesi”.

Në reagim, kjo organizatë kërkon nga të gjitha mediat që të respektojnë statusin e Halilit si sinjalizues dhe të përmbahen nga çdo raportim, koment ose publikim që mund të dëmtojë integritetin personal dhe profesional të tij.

Tutje, “Sinjalizuesi” tha se ky rast paraqet një situatë të veçantë, pasi sipas tyre, sinjalizuesi, në këtë rast Arsim Halili, “nuk po raporton tek mediat për keqpërdorime institucionale siç ndodh zakonisht, por po raporton për shkelje ligjore që përfshijnë dy media dhe se kjo e bën çështjen më të ndjeshme dhe kërkon qasje më të kujdesshme”.

Po ashtu, organizata në fjalë u bëri thirrje edhe mediave që mund të ndihen të përfshira në raportim, të tregojnë përmbajtje, të shmangin gjuhën denigruese dhe të garantojnë që sinjalizuesi të mos dëmtohet publikisht.

Në fund, “Sinjalizuesi” kërkoi nga institucionet vendore, të hetojnë “me prioritet” këtë rast të pretenduar.

“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurorinë dhe organet mbikëqyrëse të RTK-së, që të hetojnë me prioritet pretendimet e ngritura, duke siguruar mbrojtje efektive për sinjalizuesin”.

Ekipi i Projektit “Sinjalizuesi” tha se do të vazhdojë ta monitorojë këtë rast dhe të ofrojë mbështetje të plotë për Halilin deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe garantimin e mbrojtjes së tij ligjore. /Klankosova.tv

The post “Sinjalizuesi”: Prokuroria t’i hetojë pretendimet e Halilit për keqpërdorime mes RTK-së e BIRN-it appeared first on Klan Kosova.