Sindikata e Policisë: Sakrifica e Afrim Bunjakut, dëshmi e përkushtimit ndaj popullit

Sindikata e Policisë: Sakrifica e Afrim Bunjakut, dëshmi e përkushtimit ndaj popullit

Sindikata e Policisë së Kosovës e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e rënies heroike të tij.

“Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit”, tha Sindikata përmes një reagimi në Facebook derisa shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.


“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë në zemrat tona”.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.

Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.

Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë. /Telegrafi/