Siljanovska-Davkova nga Venediku: Diaspora mund të kontribuojë që të jemi edhe ne shtet me standarde evropiane

Siljanovska-Davkova nga Venediku: Diaspora mund të kontribuojë që të jemi edhe ne shtet me standarde evropiane

“Diaspora duhet të jetë partnere e barabartë në përpjekjen tonë më të rëndësishme – të jemi një shtet standard evropian, në të cilin të rinjtë do të qëndrojnë, me të cilin emigrantët do të kontaktojnë dhe do të kthehen”, theksoi mbrëmë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj në pritjen, e cila, me rastin e 11 tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, u mbajt në Konsullatën e Përgjithshme në Venedik – Itali.

Siç njoftuan nga kabineti i Siljanovska Davkovës, ajo para mysafirëve të pranishëm, pjesëtarë të diasporës së Maqedonisë në Itali, porositi se emigrimi, veçanërisht i të rinjve, u bë kërcënimi më i madh për të ardhmen tonë, dhe kërkoi ndihmë nga diaspora në parandalimin e eksodit, përmes pjesëmarrjes më aktive në krijimin e politikave dhe vendimmarrjen.


“Për të parandaluar eksodin, na duhet edhe ndihma nga diaspora. Na duhen idetë tuaja, njohuritë tuaja, përvoja juaj dhe pjesëmarrja juaj më aktive në hartimin e politikave dhe vendimmarrjen këtu në vend, e cila është e jona, jo detyrimi juaj. Angazhimi im ndaj diasporës nuk është vetëm retorikë zgjedhore. Qeveria jonë po përgatit një Strategji Kombëtare pesëvjeçare për Diasporën, në përgatitjen e së cilës Kabineti im ka një rol serioz dhe pjesëmarrje përmes përfaqësuesve në grupin e punës. Kjo strategji duhet t’i mundësojë diasporës të përfshihet shumë më aktivisht në debatin publik dhe në forcimin e shtetit. Përveç kësaj, planifikoj të krijoj së shpejti Këshillin e Diasporës brenda Kabinetit të Presidentit. Sigurisht, do të varet nga ju se kush do të ulet atje, ju e njihni më mirë njëri-tjetrin. Përvojat dhe njohuritë tuaja janë të paçmueshme për ne, dhe për mua personalisht gjithashtu”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Ajo theksoi se kemi shumë punë përpara, duke vënë në dukje se vendet me diaspora të forta përparojnë, ndërsa vendet me diaspora të dobëta ngecin.