Ishte e shtuna e 23 shtatorit kur një përdorues me emrin Knjaz Mihajlo paralajmëronte “stuhi” dhe “pushtim” në veri të Kosovës. Vetëm pak orë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Ky komunikim ishte zhvilluar në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në grupin e quajtur “Koridor”, ku mijëra përdorues serbë zhvillojnë komunikime me përmbajtje kundër Republikës së Kosovës.
Knjaz Mihajlo ishte një nga anëtarët aktivë të këtij grupi, ku përmes paralajmërimeve për motin, në fakt, duket se sinjalizonte diçka tjetër.
Një nga format më shqetësuese është shënjestrimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe fajësimi i tyre për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc. Në këto postime, policët publikohen një nga një, me emër dhe të dhëna personale. Në shënjestër të këtij grupi ka qenë edhe zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e vendit, Veton Elshani.
Atij i janë publikuar lidhje familjare, për të cilat grupi pretendon se i ka zbuluar, ndërsa njëkohësisht tentohet denigrimi i figurës së tij publike.
Në postime të ndryshme, ai lidhet me krim dhe akuza të pabazuara, çka duket të jetë pasojë e rolit të tij aktiv në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në veri. Kjo situatë dëshmon se këta persona të rrezikshëm po e marrin personalisht veprimtarinë e institucioneve të sigurisë, duke i shënjestruar drejtpërdrejt pjesëtarët e rendit.
Armë të ndryshme, të publikuara në këto grupe, dëshmojnë se anëtarët posedojnë arsenal të larmishëm, i cili përbën rrezik të vazhdueshëm për sigurinë në vend. Ndërkohë, synohet edhe nxitja e urrejtjes etnike, përmes publikimit të materialeve propagandistike që pretendojnë se serbët në Kosovë jetojnë të shtypur.
Me rastin e përvjetorit të masakrës së Reçakut, këto grupe kanë vazhduar përhapjen e trillimeve, duke e quajtur këtë krim gjenocidal si të fabrikuar.
Në këto grupe publikohen vazhdimisht edhe pamje të djegies së flamurit kombëtar shqiptar, si dhe tentime për përdhosjen e figurave të heronjve kombëtarë, përfshirë komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Kiks Kosova ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, për të ditur nëse janë në dijeni për këto grupe të krijuara kundër tyre dhe nëse janë duke u zhvilluar hetime lidhur me këto aktivitete, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar përgjigje.


