Maria Clara Urdangaray nga Argjentina dhe Endrit Nika me prejardhje nga Kosova u njohën në Barcelonë në shkurt 2023.
Endriti ka treguar në Prokurori se takimi i parë ndodhi në rrugën Llarambra. “Ajo më tha të bëftë mirë kur po haja McDonalds, unë shkova direkt te ajo me i folë, ia mora Instagramin dhe filluam me shkru. Të nesërmen u takuam përsëri dhe aty e hetuam që diçka po na ecë shumë mirë”.
Pas disa takimeve, Clara udhëtoi në Zvicër, ku qëndroi fillimisht me familjen e Endritit e më pas jetuan bashkë në një banesë tjetër, raporton emisioni MAT në Klan Kosova.
Në korrik 2023, çifti shkoi në Kosovë për një dasmë familjare. Pas natës së dasmës, në hotelin “Sonoma”, pas një debati për xhelozi, Clara ra nga dritarja e katit të gjashtë dhe humbi jetën.
Prokuroria e akuzon Endrit Nikën për vrasje të rëndë, por ai mohon, “Nuk e kam prekur me dorë”, ka thënë ai.
Superekspertiza e dritares u bë pas një viti e gjysmë, ndërsa raporti i mjekësisë ligjore nuk tregoi shenja dhune fizike në trupin e saj.
Në Argjentinë, lajmi u bë kombëtar dhe u organizuan protesta ku në pankarta shkruhej “Femicid”. Nëna e Claras, Maria Magdalena Urdangaray, kujton se vajza i kishte treguar për sjellje xheloze të Endritit.
“Më tha që ai i kishte bërë një darkë xhelozie kur ajo u kthye nga supermarketi. Unë i thashë që një lidhje ndërtohet nga besimi, jo nga mosbesimi”.
Babai i Endritit, Ismail Nika, e përshkroi të birin shumë të lumtur. “Tha, unë e kryva për jetë teme. Me të vërtetë e kam gjetë shokun e jetës”, ka thënë ai.
Rasti është ende në proces gjykimi dhe vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes publike në të dy vendet. /Klankosova.tv
Ndiqeni të plotë këtë pjesë më poshtë:
The post Si u njoftuan Maria Clara dhe Endrit Nika? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.