Arbër Jupolli, avokat i Bardhyl Kastratit, banorit që pretendon se po dëmtohet nga dhënia e kësaj lejeje ndërtimore në lagjen Aktash të Prishtinës, thotë se kanë ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për ta kundërshtuar vendimin që miratoi kërkesën e përfaqësuesit T.G. nga Prishtina.
Ai e përshkruan këtë rast si një shkelje të së drejtës së pronës dhe privatësisë së klientit të tij, si dhe si një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e planifikimit urban në qytet.
Kjo sepse sipas tij aplikues të tjerë mund të tentojnë ta përdorin këtë rast si precedent, edhe pse ai bie në kundërshtim me rregulloret dhe planet urbanistike të komunës.
Avokati Jupolli shpjegon se e gjithë kjo ndodh për shkak të mosrefuzimit të kërkesës për leje brenda afatit ligjor nga ana e zyrtarëve komunalë të Departamentit të Urbanizmit, pasi ligji e konsideron mungesën e përgjigjes si aprovim automatik.
Tutje thotë që Ministria e Planifikimit Hapësinor kërkesën e Tom Gashit e ka konsideruar si të drejtë dhe në përputhje me ligjin, edhe pse i njëjti është në kundërshtim me rregullat e ndërtimit.
Pala paditëse ka paraqitur padinë e tyre në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku kanë kërkuar anulimin e lejes ndërtimore dhe ndalimin e punimeve në terren.
Ata theksojnë se Bardhyl Kastratit po i pengohet shfrytëzimi normal i pronës së tij, si dhe po i mohohet drita natyrale e diellit.
Ky rast në Aktash evidenton pasojat e boshllëqeve ligjore dhe zbatimit të mangët të rregullave urbanistike, duke theksuar nevojën për përmirësim të menjëhershëm të politikave dhe praktikave në planifikimin dhe lehtësimin e zhvillimit urban në Prishtinë.
The post Si u morr leja për ndërtim në Aktash të Prishtinës? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.