Si u bë realitet ëndrra e kualifikimit në Botëror pas 11 vitesh pritje – historia e Kepit të Gjelbër

Si u bë realitet ëndrra e kualifikimit në Botëror pas 11 vitesh pritje – historia e Kepit të Gjelbër

Kepi i Gjelbër ka hyrë zyrtarisht në historinë e futbollit botëror duke u kualifikuar për herë të parë në Kupën e Botës, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në vitin 2026.

Ky sukses e bën ekipin e “Peshkaqenëve Blu” kombëtaren e 14-të nga Afrika që arrin këtë arritje madhore.


Çelësi i suksesit ishte fitorja surprizë ndaj Kamerunit në shtator, e cila hapi rrugën drejt kualifikimit, dhe më pas tri pikët vendimtare ndaj Eswatinit 3-0 në Praia, që ndezën festime në të gjithë vendin.

Me këtë rezultat, Kepi i Gjelbër vulosi përfundimisht pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit.

Me rreth 520,000 banorë, Kepi i Gjelbër bëhet kombëtarja e dytë më e vogël në botë që kualifikohet ndonjëherë për një Kupë Bote, pas Islandës (400,000 banorë), që mori pjesë në edicionin e vitit 2018.

Kjo arritje është kulmi i një rruge që nisi në vitin 1978, pas pavarësisë nga Portugalia, dhe u konkretizua falë punës së trajnerit Bubista, që mori drejtimin në vitin 2020.

Nën udhëheqjen e tij, ekipi arriti fillimisht çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës 2023, dhe më pas kapërcimin historik drejt Kupës së Botës.

Ky sukses është gjithashtu rezultat i rritjes së talenteve në futbollin evropian. Ndër lojtarët kyç janë: Jovane Cabral, i cili ka luajtur në Serie A me Lazio dhe Salernitana, Dailon Rocha Livramento, që ka luajtur për Veronën dhe shënoi golin vendimtar për kualifikim.

Logan Costa, mbrojtës i Villarrealit dhe më parë i Toulouse, i njohur për paraqitjet dominuese në Kupën e Francës.

Ryan Mendes, kapiteni dhe golashënuesi më i mirë në historinë e ekipit me 22 gola, që debutoi më 2010 dhe më në fund do ta realizojë ëndrrën për të luajtur në një Botëror.

Ky moment historik u përjetua me entuziazëm në të gjithë vendin, saqë qeveria shpalli festë kombëtare, duke e kthyer këtë arritje sportive në një ngjarje mbarëkombëtare./Telegrafi/