Me disa hapa të thjeshtë, rrushi mund të ruhet deri në 12 muaj dhe të përdoret si meze freskuese, në smoothie, ëmbëlsira apo edhe në receta të kripura
Sezoni i rrushit të pjekur dhe aromatik është tani në kulm. Kokrrat e tij janë një ushqim i përsosur kur dëshironi një dozë frutash, pak freski apo diçka të ëmbël. Por, si ta ruani këtë shije edhe kur rrushi të mos jetë më i disponueshëm në tregje?
Zgjidhja është ngrirja e rrushit, e cila e mban të freskët deri në një vit, transmeton Telegrafi.
Si ta ngrini rrushin
Nëse dëshironi ta ruani më gjatë, ndiqni këto hapa:
- Lajeni mirë rrushin dhe thajeni plotësisht.
- Hiqni kokrrat nga bishti.
- Vendosini mbi një tepsi të shtruar me letër pjekjeje, mbulojini me një shtresë plastike dhe fusni në ngrirje.
- Lërini aty për 2–3 orë, derisa të ngrijnë plotësisht.
- Transferojini më pas në qese speciale për ngrirje dhe vendosini sërish në ngrirje.
Në këtë mënyrë, rrushi i ngrirë mund të zgjasë deri në 12 muaj.
Kujdes: pasi të jetë ngrirë dhe më pas shkrirë, rrushi nuk do të jetë më aq krokant, lëkura nuk do të kërcasë njësoj nën dhëmbë. Megjithatë, shija do të mbetet po aq e këndshme dhe mund ta përdorni për ëmbëlsira, smoothie, reçel etj.
Si ta shkrini rrushin
Mënyra më e mirë është ta lini të shkrihet ngadalë në frigorifer gjatë natës. Vendosni qesen ose sasinë që ju nevojitet në një enë dhe të nesërmen do të keni gati rrushin e shkrirë e të shijshëm.
Si ta përdorni rrushin e ngrirë
▪ Si meze e freskët: ngrini kokrrat dhe shijoni të ftohta, krokante dhe freskuese, ideale në ditë të nxehta.
▪ Në smoothie: shtojini të ngrira për t’i dhënë pijeve shije të ëmbël dhe konsistencë kremoze.
▪ Në gatime të kripura: rrushi i ngrirë mund të përdoret në kombinime me vaj ulliri, mishra ose perime të pjekura, për t’i dhënë një notë ëmbëlsie dhe freskie (p.sh. me lulelakër të pjekur dhe djathë feta).
▪ Në ëmbëlsira dhe reçele: pas shkrirjes, mund të përfshihen lehtësisht në torte, puding apo për përgatitjen e reçelrave shtëpiake.
/Telegrafi/