I zbehtë dhe pa takime zyrtare të nivelit të lartë po konsiderohet përfaqësimi i Kosovës në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas analistëve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po “takohen me diplomat vetëm korridoreve”, duke iu referuar edhe takimit që e para e vendit e pati me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Pas nisjes edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për të marrë pjesë në margjinat e samitit të OKB-së, të njëjtit thonë se mosformimi i institucioneve të reja si dhe mungesa e kompetencave të plota është një imazh negativ në arenën ndërkombëtare. Në anën tjetër, shqetësues shihet edhe takimi zyrtar që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e pati me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio.
KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidencës nëse Osmani do të zhvillojë takime zyrtare me zyrtarë të tjerë të lartë amerikan, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në bazë të njoftimeve të Osmanit dhe Gërvallës të njëjtat kanë zhvilluar një mori takimesh me homolog dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Përveç takimit me Rubion, presidentja Osmani ka njoftuar se ka zhvilluar takim edhe me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Këto takime janë disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, siç është thënë për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë Kurti.
Në anën tjetër, ajo zhvilloi takim zyrtar edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Mirëpo, pavarësisht këtyre, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se përderisa s’ka pasur takime zyrtare me përfaqësues të lartë të administratës Trump po shihet se Kosova se ka përkrahjen e madhe të SHBA-së. Sipas tij, në mungesë të kësaj po vërehet se zyrtarët e Kosovës po zhvillojnë takime të zbehta dhe në korridore.
Përkitazi me këto, ai thotë se impakti i këtyre takimeve në ndryshimin e politikës së jashtme karshi qeverisë Kurti është i vogël.
“Janë dy arsye pse politika e jashtme e jonë është e zbehtë në sesionin e OKB-së. E para se janë dy luftëra shumë të mëdha që marrin energji dhe kanë shumë rrezikshmëri të lartë dhe një konflikt më të madh sesa që është, siç është lufta në Ukrainë dhe në Gaza. E dyta normalisht është e zbehtë se Kosova nuk e ka përkrahjen e madhe të SHBA-së. Pa përkrahjen e SHBA-së po vërehet se takimet si të presidentes apo të ministres së Jashtme në detyrë janë jashtëzakonisht të zbehta mos të them qesharake. Ne po flasim për vitin 2025 dhe në korridore jemi takuar para luftës dhe pas luftës, mirëpo pas pavarësisë ka ndryshuar qasja dhe ne po duket që jemi kthyer para pavarësisë me u takuar në korridore dhe me figura të katërta apo pesta. Impakti i tyre në ndryshimin e politikës së jashtme karshi kësaj qeverie apo këtij mentaliteti qeverisës është zero”, thekson ai.
Ndërkaq, profesori tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se mangësi e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe takimet në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është mungesa e formimit të institucioneve të reja.
Sipas tij, përkundër pjesëmarrjes tashmë edhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kosova në arenën ndërkombëtare po dëshmon se nuk e ka pjekurinë e duhur për t’i formuar institucionet e veta.
“Po, parimisht për këtë periudhë kohore mund të flasim vetëm për humbje. Është absolutisht anakronike të provojmë me fol diçka pozitive. Fundja e fundit, nga zgjedhjet tona pak a shumë janë mbajtur dhe zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje është bërë transferi i pushtetit nga një parti në partinë tjetër, është marrë pushteti dhe sot pothuajse kemi ndryshim të rendit të botëror. Ne për fatin tonë të keq ende nuk kemi arritur ta konstituojmë Kuvendin dhe kjo normalisht që shihet si veprim negativ e para, për prishjen e imazhit politik dhe juridik ndërkombëtar. Kosova në arenën ndërkombëtare e ka dëshmuar që nuk e ka pjekurinë e duhur për të formuar institucionet e veta”, thekson ai.
Duke përmendur takimin zyrtar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, profesori Dritëro Arifi, thotë se kjo duhet të jetë një alarm për qeverinë në detyrë dhe presidenten.
“Në momentin që Serbia arrin të takohet me numrin një të Departamentit të Shtetit duhet të jetë një alarm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht për qeverinë dhe presidenten. Ata duhet të bëjnë pyetjen se ku kanë dështuar”, shton ai.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit të enjten ka njoftuar se edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka udhëtuar për në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të takimeve të saj në Nju Jork në Javën e Nivelit të Lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.
Ndërkaq, MPDJ ka njoftuar se Gërvalla ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ku sipas tyre do të adresohen sfidat më të rëndësishme të rendit global, nga siguria e çështjet rajonale e deri te zhvillimi ekonomik dhe forcimi i bashkëpunimit mes shtetesh.