Jo vetëm Paracetamol e Vitamina. Tek ne fare thjeshtë mund të marresh barna të cilat nuk lejohen të shiten pa recetë të mjekut. Madje mund t’i porositësh online nga shtëpia. Janë kompanitë për produkte mjekësore të cilat shesin barna online.
Madje dhe ampula Trodon, të cilat asesi nuk do të duhej të jepëshin pa recetë të mjekut. Është fare e thjeshtë të porositësh Ampula Trodon. Mjafton t’i shkruash kompanisë e cila online i reklamon barnat që i shet, sikur ato të ishin perime. Barna të cilat nuk duhet të shiten pa recetë, pasi që rrezikojnë dhe jeten e pacientit, nëse nuk merren sipas dozave që rekomandon mjeku.
Indeksonline ka kontaktuar njërën nga këto kompanitë për produkte mjekësore, e cila kishte faqen në Instagram dhe se përgjigjja ishte e menjehershme.
“ Po mund t’i porositni ampulat Trodon dhe se brenda javës iu vjen porosia në shtëpi”, ishte përgjigjja e tyre.
Derisa treguan se çmimi i një ampule ishte 70 cent, nuk e morën mundin të pyesin se a kemi recetë nga mjeku për marrjen e Trodonit.
“Sa ampula iu duhen?. Iu sjellim me postë. Çmimi i një ampule është 70 cent. Porosia iu vjen brenda javës”, ishte përgjigjja nga kompania në fjalë.
Megjithëse në kontaktin e parë kompanisë iu kërkua dhe numri i telefonit, për të biseduar dhe për ta bërë porosinë, ata nuk u lajmëruan.
E menjeherë pas thirrjes ata filluan të shkruajnë në WatsApp, për t’i bërë pazaret për blerjen e barnave, të cilat nuk do të duheshin në asnjë mënyrë të shiteshin në këtë formë, duke rrezikuar jetën e pacientëve.


