Shkruan: Vudi Xhymshiti
Është shqetësuese të shohësh se si disa media në Kosovë dhe Shqipëri, përmes politikave dhe strategjive të tyre redaktuese, rreshtohen me Serbinë. Kur Serbia lëshon deklarata për Kosovën, këto media shpesh i transmetojnë ato pa i sfiduar, pa i vënë në pikëpyetje dhe pa ofruar balancë në raportimet e tyre. Por, kur udhëheqësia e Kosovës reagon kundër agresionit serb, këto media përfshijnë komente dhe paragrafe që synojnë të delegjitimojnë politikat dhe përpjekjet e Kosovës për t’i kundërvënë agresionit serb.
Ky standard i dyfishtë është i dukshëm dhe tejet shqetësues. Si mund të besohet që këto media nuk janë të ndikuara, në mos të financuara drejtpërdrejt, nga Serbia? Si mund të injorohet përputhja e qartë e narrativave të tyre me interesat serbe?
Kjo nuk është thjesht gazetari e njëanshme, kjo është e vërteta, apo më saktë, djalli që fshihet në sytë e të gjithëve. Këta individë dhe portale mediatike duhet të mbajnë përgjegjësi për rolin e tyre në përhapjen e narrativave që dëmtojnë sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e Kosovës. Transparenca dhe integriteti në gazetari nuk janë opsionale; ato janë thelbësore për vlerat demokratike dhe liritë që mbrojmë.