E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeLajmeSi mbeti Fatmir Limaj vetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit? (VIDEO)

Si mbeti Fatmir Limaj vetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit? (VIDEO)

Katër vjet jashtë Kuvendit ishin të gjata për Nismën Socialdemokrate.

Kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, nuk guxoi t’ia mësyjë garës i vetëm në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të 2025-ës. Kësisoj, para zgjedhjeve ai arriti koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo marrëveshje, atij ia siguroi tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, situata e krijuar në Kuvend ku asnjë parti nuk arrinte ta siguronte shumicën parlamentare, e afruan Limajn me Kurtin.

Vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, Limaj deklaroi publikisht se nuk ka vija të kuqe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai e pohoi se vota e tij dhe dy deputeteve Arbëresha Krasniqi dhe Xhevahire Izmaku do të jenë për cilindo kandidat kryeministër, qoftë ai edhe Albin Kurti. E në pranverë, kjo parti nisi edhe bisedimet zyrtare me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje politike. Afrimi i Limajt me Vetëvendosjen e distancoi atë nga partneri i koalicionit.

Më 14 prill, Haradinaj deklaroi se nuk ka pasur kontakt me Limajn nga intervista ku ai shprehu haptas mbështetjen për Kurtin.

Megjithatë, nëse Limaj dhe dy deputetet e Nismës do të votonin kandidatin e VV-së për kryeparlamentar, Haradinaj tha se do të ishte një ndarje e turpshme.

E pesë ditë më vonë, Haradinaj e tha përfundimisht se Limaj ka ikur nga koalicioni, duke pohuar se këtë e ka bërë në mënyrën më të turpshme që mund ta bënte dikush.

Pas muajsh bisedime me Vetëvendosjen, Limaj nuk arriti një marrëveshje me partinë fituese të zgjedhjeve, andaj edhe u shpreh se nuk e voton kryeparlamentarin pa marrëveshje.

E në fundin e tetorit, Limaj nisi afrimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Më 27 tetor të 2025-ës, ai pati një takim me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Të dy liderët dolën me disponim nga takimi. Në këtë frymë, një muaj më vonë, Abdixhiku deklaroi se në listën e LDK-së do t’i rezervohet vend edhe Limajt dhe deputetëve të tij. Por, as LDK-ja nuk ia mbushi synin Limajt.

Kështu, derisa afati i fundit për certifikim në KQZ po afrohej, Limaj nisi kërkimin e bashkëpunimit me partinë e tij të vjetër.

Pavarësisht raportimeve, kryetari i ri i PDK-së Bedri Hamza deklaroi se nuk ka pasur takime me Limajn dhe se këto dy parti do të garojnë të vetme në zgjedhje.

Se këto dy subjekte politike ia mësynë të vetme garës së 28 dhjetorit, përfundimisht dhe zyrtarisht e tha edhe vetë Limaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ndiqni kronikën e përgatitur nga Kiks Kosova:

 

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT